Duartrokitjet e Listës Serbe për Vuçiqin nga ballkoni i Kuvendit serb, aty ishte edhe krimineli Radoiçiq

Seanca për Kosovën është vëzhguar nga ballkoni i Kuvendit të Serbisë edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe. Në momentin kur kamera po i filmonte, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë duartrokitur dhe brohoritur Kosova, Kosova. Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është në listën e zezë të SHBA-së, seancën e ka ndjekur nga i njëjti ballkon.

Radoiçiq ishte në shoqërinë e Goran Rakiqit, kryetar i Listës Serbe dhe Igor Simiqit, zyrtar i asaj partie. Kamera, e cila po regjistronte drejtpërdrejt nga podiumi i Kuvendit, ka kapur momentin kur Rakiq dhe Radoiçiq duartrokitën.

Pas fjalimit të përfaqësuesve të opozitës, ndaj të cilit ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pasur fillimisht një përplasje verbale e më pas edhe fizike mes përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës.

Në të njëjtën kohë, derisa po vazhdonte diskutimi dhe debati, të gjithë deputetët e opozitës janë ngritur në këmbë dhe kanë treguar pankarta para Vuçiqit dhe kanë publikuar shkeljen e rregullores.

Derisa diskutimi mes presidentit dhe opozitës vazhdoi, Vuçiq tha se opozita nuk e ka idenë për Kosovën, barrikadat… Atëherë opozita filloi të krijoi kaos.

Në sherrin dhe incidentin mes opozitës dhe pushtetit, kamera që po regjistronte drejtpërdrejt nga vendi i “krimit” ka fiksuar momentin kur kreu i grupit parlamentar përparimtar, Milenko Jovanov, ka nisur të ofendojë përfaqësuesit e opozitës. /Ballkani.info/