Angli

“Duam 400 mijë funte”, lirohet pengu shqiptar në Angli, 7 të arrestuar

Policia shqiptare dhe ajo britanike kanë zhvilluar një operacion të përbashkët për lirimin e një 30-vjeçari shqiptar i cili ishte marrë peng në Angli nga 7 shtetas të tjerë shqiptarë.

Pengmarrësit kanë kërkuar 400 mijë funte për lirimin e pengut.

Informacionin fillestar për pengmarrjen e kishte Policia e Shtetit. Autoritetet shqiptare vendosën në dijeni homologët e tyre në Britani dhe shkëmbimi në kohë i informacionit bëri të mundur gjetjen dhe lirimin e 30-vjeçarit nga Shqipëria.

Gjatë operacionit ndërkombëtar i koduar “Pengu” u arrestuan pengmarrësit, 7 shqiptarë me rekorde kriminale në Britani. Ndërsa 30-vjeçari i marrë peng është liruar dhe ndodhet i sigurt pranë autoriteteve britanike.

Policia shqiptare njofton se operacioni është në vijim dhe për këtë arsye nuk bëhen publike të dhënat e personit të marrë peng dhe të personave të arrestuar, deri në përfundim të operacionit.