Dua Lipa me performancë të mahnitshme në Mnet Asian Music Awards, ndërsa rrëmben çmimin “Artistja e preferuar ndërkombëtare”

Ajo bëri një paraqitje të mrekullueshme në ceremoninë më të madhe të ndarjes së çmimeve në Nagoya Dome në Japoni, Mnet Asian Music Awards 2019.

Fjala është për artisten shqiptare të famshme në tërë botën, Dua Lipa, e cila arriti të sigurojë vëmendjen e plotë përkrah yjeve të famshme të K-pop-it.

Përveç se zgjodhi një veshje të mrekullueshme, 24-vjeçarja bëri një paraqitje spektaklore, ndërsa interpretoi këngën e re “Don’t Start Now”, e shoqëruar me një numër të madh të valltereve.

Krijuesja e hitit “One Kiss” mori një pamje edhe më tërheqëse me flokët e saj bionde dhe të zeza.

Ylli ndërkombëtar i popit duket se kaloi një mbrëmje të mrekullueshme dhe arriti të rrëmbejë çmimin “International Favorite Artist” apo (Artistja e preferuar ndërkombëtare”.

Njoftimin e bëri të ditur në rrjetet sociale, gjersa ndau me fansat ca video nga performanca e saj dhe momentin kur ia dhuruan çmimin.

“Don’t Start Now tek Mnet Mama Awards. Faleminderit për gjithë dashurinë dhe përkrahjen. Faleminderit vajzave nga Londra që e ndanë skenën me mua dhe faleminderit për çmimin si artistja e preferuar femër”, ka shkruar ndër të tjera Dua.

Prezenca e artistes Lipa atje, ka bërë që ylli shqiptar të përfundojë në fokusin e shumë mediave më të famshme në Japoni.