Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pasi Kosova u pajis me dronët kamikazë “Skydagger”.
Ai ka akuzuar Turqinë se ëndërron rindërtimin e Perandorisë Osmane dhe se nuk është e interesuar për stabilitet.
Kjo ka pasuar me një reagim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.
“Në të njëjtën ditë që Presidenti Trump vlerësoi Turqinë dhe Presidentin Erdogan për lidershipin e tyre të shquar në promovimin e paqes dhe sigurisë globale, Vuçiq po sulmon pa turp Turqinë, një vend që, si shtet anëtar i NATO-s, po na ndihmon të mbrojmë paqen”, ka shkruar Osmani.
Tutje presientja thotë se Vuçiq po nxitë bashkëpunimin mbrojtës me Rusinë, Kinën e Iranin.
“Jam krenar që kam punuar ngushtë me Presidentin Erdogan, një njeri të fjalës së tij, i cili gjithmonë ka treguar kujdes të thellë dhe të sinqertë për të gjithë njerëzit e rajonit tonë dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe mbrojtjes. Ndërkohë, Vuçiç duket se beson se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia në të njëjtën mënyrë siç kërcënon vendet fqinje. Në vend që të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, ai nxit bashkëpunimin mbrojtës me Rusinë, Kinën dhe Iranin”, shkruan në vazhdim Osmani.
Presidentja e Kosovës shton se vendi do vazhdojë të forcojë lidhjet me aleatët e NATO-s.







