Drogë 14 milionë euroshe nga Shqipëria në Itali, kapet gomonia me 1.5 ton kanabis
Një sasi prej 1.5 ton kanabis u sekuestrua nga Policia italiane, ndërsa në pranga ranë dy personat që mendohet se kanë qenë korrierë. italianë.
Sasia e madhe e drogës, siç shkruajnë mediat italiane, dyshohet se vinte nga Shqipëria. Vlera e saj shkon në mbi 14 milionë euro.
Droga e ngarkuar në gomone, u pikas në bregun e Torre Canne në bordin e gomones prej 15 metrash, të pajisur me dy motorë të fuqishëm.
Ne pranga u vunë dy të rinj nga Brindisi. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar anëtarë të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut.
Gomonia ra në sytë e agjentëve pasi këta të fundit po patrullonin zonën detare mes Brindisit dhe Barit, më konkretisht në koordinatat që njihen si rrugë detare nga ku trafikohet drogë nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit dhe më pas zbarkohet në brigjet e Puljas.
Me të mbërritur në brigje, trafikantët kanë nisur shkarkimin e lëndës narkotike, në një kohë kur po survejoheshin nga karabinierët të fshehur në mes të shkëmbinjve. Në momentin e ndërhyrjes nga karabinierët, trafikantët tentuan të largohen me gomone por kanë ngecur në mes të shkëmbinjve. Droga ishte ndarë në 80 thasë të paketuar.