Drita prezantoi transferimin e parë në merkato, por tifozët vunë re ngjashmërinë e tij me sulmuesin e Zvicrës

Drita ka njoftuar zyrtarisht për huazimin për një vit të futbollistit nga Kongo, Raddy Ovouka.

Ovouka do të debutojë sot me fanellën e tre herë kampionëve të Kosovës në ndeshjen miqësore ndaj ekipit sllovak, MFK Tatran, e cila luhet në Antalia të Turqisë. Raddy është 23-vjeçar dhe luan si mbrojtës i majtë.

Klubi gjilanas prezantoi Ovoukan në faqen zyrtare duke publikuar edhe disa fotografi të tij me fanellën bardhekaltër.

Prej tifozëve të Dritës që i uruan nënshkrimin me klubin e tyre të zemrës, kishte prej tyre që thonë se lojtari i ri është sozia e sulmuesit të Përfaqësueses së Zvicrës, Breel Embolo.

“Mendova se keni transferuar Embolon”, “Miresevjen Embolo”, “Embolo” – ishin disa nga komentet e tifozëve të klubit që komentuan në faqen zyrtare në njoftim, shkruan Demokracia.com.

Ovouka është transferimi i parë i Dritës afatin kalimtar të janarit dhe njëherit i pari nga ardhja e trajnerit Arsim Thaqi.

“Bardhekaltrit” janë zhvendosur së fundmi në qytetin bregdetar turk për të kryer fazën përgatitore para fillimit të stinorit pranveror në Superligën e Kosovës.

Drita është lidere e Superligës me 38 pikë, aq sa ka grumbulluar edhe Ballkani, rivali kryesor i gjilanasve në garën për titull.