Në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” festuan të gjithë. Por në fushë, festa i takoi kampiones së Kosovës në futboll, Dritës së Gjilanit.
Drita e Gjilanit fitoi derbin e skuadrave shqiptare me rezultat minimal 1:0 ndaj Shkëndijës së Tetovës. Vendosi goli i shënuar në pjesën e parë nga sulmuesi i Dritës, Arb Manaj. Manaj shënoi në minutën e 20-të. Topi nuk u largua mirë nga zona dhe sulmuesi shtatlartë i Dritës përfitoi duke shënuar me goditje të lehtë nga zona.
Ndeshja e zhvilluar të enjten mbrëma ndërmjet dy skuadrave shqiptare të futbollit i takoi xhiros së katërt të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Ishte hera e parë që dy skuadra shqiptare përballen kundër njëra-tjetrës në garat evropiane të UEFA-s.
Në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku të pranishëm ishin rreth 8000 mijë shikues kishte atmosferë festive. Për atmosferën festive e të veçantë u përkujdesën “Intelektualët” e Dritës dhe “Ballistët” e Shkëndijës.
Nuk munguan mesazhet me motive kombëtare nga të dyja tifozëritë. Por në fushë u zhvillua betejë sportive nga lojtarët e Dritës dhe Shkëndijës.
Krahas golit të shënuar nga Manaj, kishte raste të mira shënimi si nga lojtarët e Dritës ashtu edhe Shkëndijës.
Në minutën e 56-të, futbollisti i tetovarëve, Liridon Latifi qëlloi traversën nga gjuajtja e lirë. E fortë ishte edhe gjuajtja e Besart Ibraimit, i cili u inkuadrua në pjesën e dytë. Por në fund, ndeshja përfundoi me rezultat 1:0, falë golit të Manajt.
Drita ka bërë hap të madh drejt kalimit direkt në një të tetën e finales. Është ngritur në vendin e tetë me tetë pikë.
Kampionia e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija mbetet me katër pikë.







