Dreshaj i AAK-së për rastin e foshnjes në Pejë: Përgjegjësia është tek Kryeministri

Deputeti i Kuvendit nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka thënë se është e pafalshme që të ndodh një rast si në Pejë, ndërsa Qeveria dhe Kryeministri ende të hamenden për emërimin e Ministrit të Shëndetësisë.

Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Dreshaj ka thënë se sektori më vital i cili kujdeset për njerëzit që kanë më së shumti nevojë, ka mbetur në duart e askujt.

“Paramendojeni një shtet, respektivisht një qeveri e cila nuk mund ta emërojë një ministër tash e 78 ditë. Sektori më vital i cili kujdeset për njerëzit që kanë më së shumti nevojë, ka mbetur në duart e askujt”, ka shkruar Dreshaj.

Postimi i plotë:

Menaxhimi i dobët në shëndetësi, javë më javë e muaj për muaj është kah prodhon skena të ngjashme me filma horror.

Paramendojeni një shtet, respektivisht një qeveri e cila nuk mund ta emërojë një ministër tash e 78 ditë. Sektori më vital i cili kujdeset për njerëzit që kanë më së shumti nevojë, ka mbetur në duart e askujt.

Është e pafalshme që të ndodh një rast i tillë si ky në Pejë, e Qeveria e Kryeministri ende të hamenden për caktimin e udhëheqësit të sektorit të Shëndetësisë.

Përgjegjësia është tek Kryeministri!