Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së me numër 16, Ferat Shala, ka dërguar një mesazh të fuqishëm politik nga Vuçaku, duke kritikuar ashpër qeverisjen aktuale për krizën energjetike dhe njëkohësisht duke riafirmuar besimin në ndryshimin që po vjen.
Përmes një postimi, Shala ka deklaruar se pushteti aktual po ua vjedh energjinë qytetarëve dhe po ua shet atë me çmime më të larta, por, sipas tij, nuk mund ta shuajë shpresën e qytetarëve për një Kosovë më të mirë.
“Pushteti i sotëm mund t’ua vjedhë energjinë qytetarëve të Kosovës dhe t’ua shesë më shtrenjtë, por shpresën për ta çuar vendin përpara nuk mund ta shuajë,” ka deklaruar Shala.
Ai ka bërë të ditur se në Vuçak është mbajtur një takim me mbështetës nga Negroci dhe Gjergjica, i cili është zhvilluar në kushte të vështira, në errësirë, si pasojë e krizës energjetike, por që kjo, sipas tij, vetëm sa e ka forcuar vullnetin për punë dhe angazhim edhe më të madh.
“Në errësirë, por me vullnet të madh për ndryshim,” ka shtuar Shala, duke theksuar se qytetarët janë të vendosur të ecin përpara, të bashkuar drejt një të ardhmeje më të mirë.
Në fund, Shala ka përsëritur thirrjen e tij për mobilizim qytetar dhe ndryshim politik më 28 dhjetor, nën sloganin: “Bashkë. Përpara.”







