Në shënim të 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, komuna e Skenderajt ka organizuar një konferencë shkencore, ku u tha se fryma skënderbegiane duhet të vazhdojë të mbretërojë tek populli shqiptar.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin historianë e personalitete të shquar të cilët vlerësuan lart figurën e Skënderbeut.
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se mesazhi dhe figura e Skënderbeut duhet të trashëgohet ndër breza.
Sipas tij përmes ndjekjes mesazhit të heroit kombëtar për liri, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arritën të sjellin lirin dhe pavarësinë për popullin shqiptar në Kosovë.
Kurse, ligjëruesja e Fakultetit të Filologjisë, Sala Ahmeti u shpreh se Gjergj Kastrioti i pari në Evropë e bëri konsolidimin e vlerave kombëtare.
Sipas Ahmetit fryma skenderbegiane duhet të na përcjell gjithmonë, e sidomos tani kur po përballemi me disa shpërfytyrime të vlerave kulturore.
Ajo tha se një shembull të figurës së heroit kombëtar e ndoqi edhe komandanti legjendar, Adem Jashari.
Ndërkaq, Nezir Bejta profesor i gjimnazit “Hamëz Jashari”, në Skënderaj tha se përmes kësaj konference të iniciuar nga ky gjimnaz po përkujtohet epoka më e lavdishme e kombit shqiptar.
Gjatë kësaj konference shkencore u lexuan edhe kumtesa të cilat pasqyronin ndikimin e figurës së heroit Gjergj Kastriotit Skënderbeut për krijimin e kombit shqiptar. Për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot- Skënderbeu edhe Qeveria e Kosovës ndau 500 mijë euro.







