Ramiz Lladrovci

Drenas, Gjykata dënon personin që fshihej pas “Floralba Demaku”, Lladrovci paralajmëron padi të reja për dëmet e shkaktuara

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se Gjykata ka dënuar me formën e prerë, personin që fshihej pas “Floralba Demaku”, dhe po dihet tashmë edhe shtytësi dhe ideatori i veprës penale.

“Dua të shpreh falënderim dhe vlerësim për qytetarët e komunës së Drenasit, të cilët nuk u ndikuan nga dezinformatat e kundërkandidatit tim, përkundër metodave të papranueshme gjatë fushatës zgjedhore”, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë:

E “famshmja” Floralba Demaku, personi i fushatës zgjedhore të para dy viteve, është identifikuar, demaskuar dhe dënuar nga organet e drejtësisë.

Gjykata solli vendimin e formës së prerë me të cilin vërtetohet se personi që pretendonte të udhëheq me komunën e Drenasit, ishte ideator i veprimeve dezinformuese, person që i udhëzoi njerëzit e tij të afërt që të përdornin çdo metodë për të më sulmuar gjatë fushatës zgjedhore.

Drejtësia triumfoi duke e dënuar kryesin e veprës penale, njëkohësisht, duke zbuluar edhe shtytësin dhe ideatorin e veprës penale.

Dua të shpreh falënderim dhe vlerësim për qytetarët e komunës së Drenasit, të cilët nuk u ndikuan nga dezinformatat e kundërkandidatit tim, përkundër metodave të papranueshme gjatë fushatës zgjedhore.

Ditëve në vazhdim, do të veprohet konform udhëzimit të Gjykatës dhe do të vazhdohet me padi për kompensimin e dëmeve për shpifjet dhe fyerjet e atyre që e kanë specialitet këtë veprimtari.