Ishte raportuar se gjatë kësaj jave do të kishte një takim mes drejtuesve të Interit dhe agjentes dhe gruas së Mauro Icardit për të diskutuar zgjatjen e kontratës së këtij të fundit.

Do të jetë nesër dita e rëndësishme ku do të vendoset e ardhmja e kapitenit të “Nerazzurrëve”, derisa gjatë ditëve të fundit ka pasur pakënaqësi të shumta nga pala e sulmuesit argjentinas, të cilët i cilësuan gënjeshtra raportimet e mediave italiane për afrimin e një marrëveshjeje finale.

“Do ta zgjas kontratën kur do të më prezantohet një ofertë korrekte dhe konkrete”, shkruajti më parë Icardi në Instagram, deklarata këto që u përcollën edhe nga ato të Wanda Naras që theksoi se arritja e një marrëveshjeje është ende larg.

Por për të qetësuar tifozët zikaltër mendoi drejtori sportiv, Beppe Marotta që tha se qëllimi i të dyja palëve është rinovimi i kontratës dhe këto dinamika janë normale kur bëhet fjalë për një çështje të tillë.

Takimi i së premtes me Naran do të jetë i pari për Marottan, me 61 vjeçarin që do të shpresojë të jetë edhe i fundit, duke garantuar që Icardi të mbajë veshur fanellën zikaltër edhe për shumë vite tjera.