Drejtoria e Investimeve Kapitale në Prishtinë do të drejtohet nga inxhineri Krenar Xhaferi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka emëruar Krenar Xhafer Xhaferin, Drejtor të Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës.

Xhaferi, që ishte ndër asambleistët më të votuar në zgjedhjet lokale nga LDK-ja, ka shërbyer edhe me heret në këtë drejtori, pasi me profesion është inxhiner.

Po ashtu Xhaferi ka qenë këshilltar politik i kryetarit Lumir Abdixhiku në Ministri të Infrastrukturës.

Ky është njoftimi i plotë i Xhaferit në Facebook:

Qytetarë të Prishtinës dhe miq të dashur! Nga sot, do të drejtoj Drejtorinë e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës. Kjo drejtori në fushëveprimtarinë e vet përmbanë: investimet në infrastrukturë-rrugë, kanalizime, ujesjellës; investimet në shkolla, çerdhe, ambulanta dhe të gjitha investimet e tjera që hyjnë, në kuadër të Komunës së Prishtinës, si investime kapitale. Dua të falenderoj Kryetarin e LDK-së, Dr.Lumir Abdixhikun, për besim dhe mbështetje të vazhdueshme, Kryetarin e KK Prishtinës Z.Perparim Rama për propozimin dhe besimin ndaj meje për të udhëhequr me këtë dikaster shumë të rëndësishëm komunal. Këtë, aspak nuk e ndjej si privilegj, por si përgjegjësi të madhe. Andaj lutem që me urtësi, qetësi, me më shumë angazhim e besa edhe më shumë bashkëpunim me Kryetarin Rama, nënkryetarët e komunës, drejtoritë përkatëse dhe me ju qytetarë të respektuar, të ja dalim mbarë e faqebardhë. Kemi punuar dhe ideuar shumë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohemi çdo ditë në Prishtinë. Presim sugjerime, këshilla, mendime, ide dhe kritika nga kolegët, qytetarët dhe dashamirët, që ndryshimin ta bëjmë bashkë, sepse Prishtina është e jona dhe duhet ta duam e ta ndërtojmë në të mirën e të gjithëve. Dyert do jetë të hapura për gjithë ata njerëz të vullnetit të mirë për të shtyrë përpara ide e mendime të mira dhe të rëndësishme për kryeqytetin tonë!

Ne kemi vullnetin dhe s’bashku, me ndihmën Tuaj, do t’ja dalim!

Na priftë e mbara! I

Juaji, Krenar Xh. XHAFERI