Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Telekom Srbija”, Vladimir Luçiq, pret që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të ndikojnë në Agjencinë për Mbrojtjen e Konkurrencës në Kosovë që të pezullojë procedurën ndaj MTS-së dhe t’i lejojë asaj të marrë licencën e tretë.

Agjencia Kosovare për Mbrojtjen e Konkurrencës (AKK) ka gjobitur kompaninë MTS d.o.o. (dega e Telekomit në Kosovë), me gjobë prej mbi 1.5 milionë euro për marrjen e paligjshme të operatorëve kabllorë, që është arsyeja e takimeve të sotme mes Luçiqit dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë, transmeton KoSSev, transmeton Ballkani.info.

“Pas kësaj nuk qëndron vetëm gjoba, por përpjekja që ata katër operatorë kabllorë, që i kemi bashkuar në vitin 2019, të auditohen sipas ligjit të ri që e kanë ndryshuar qëllimisht vetëm për ne. Kjo është arsyeja kryesore e takimit tonë, për të vërtetuar se Agjencia për Mbrojtjen e Konkurrencës nuk i respekton as ligjet vendore, se ligjet në një mënyrë interpretohen kur bëhet fjalë për një kompani serbe dhe në një mënyrë tjetër kur bëhet fjalë për kompani të tjera”, tha ai.

Qëllimi i takimit, sipas Luçiqit, ishte që të ndihmohej kompania MTS d.o.o. për të parandaluar presionin e ushtruar nga administrata e Prishtinës.

“Ju vetë keni qenë dëshmitar i asaj tentative në gusht për mbylljen e kompanisë tonë, të cilën ne kemi mundur ta zgjidhim me sukses me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Megjithatë, presioni vazhdon ende. Sigurisht, të vetëdijshëm se nuk mund ta shembin kompaninë tonë, po mundohen ta vështirësojnë punën e saj”, tha ai.

Ai shtoi se ky problem është një test i mirë për bashkësinë ndërkombëtare.

“Nëse lejojnë administratën e Prishtinës të interpretojë ligjet që i kanë miratuar në këtë mënyrë, duke e penguar kompaninë më të madhe serbe që të bëjë biznes këtu, dhe ju e dini sa të rëndësishëm jemi ne, jo vetëm sepse kemi 250 të punësuar, por ne ofrojmë internet dhe televizion për 30,000 familje, atëherë çfarë tjetër mund të presin disa kompani të tjera serbe. Shpresoj se bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë dhe se përfundimisht do ta zgjidhim këtë problem”, ka thënë Luçiq.

Ai tha se MTS d.o.o. duke u përpjekur të “zgjidhë problemin e licencës së tretë”.

“Ju e dini që ne e kemi këtë licencë të përkohshme, se tenderi për licencën e tretë duhet të ishte shpallur shumë kohë më parë, por nuk është se dihet se do të fitojmë. Tashmë kemi një problem celulari, kemi një numër të kufizuar stacionesh bazë. Edhe në pjesët serbe qytetarët e ndjejnë. Në vend që Agjencia për Mbrojtjen e Konkurrencës të hetojë pse shteti nuk ka lëshuar një licencë të tretë për të rritur konkurrencën, në fakt po përpiqet të na largojë plotësisht ose të na kufizojë këtu”, tha Luçiq.

Ai ka theksuar se është e papranueshme që të mbulohen punëtorët e kësaj kompanie.

“Në dhjetor kemi pasur një rast kur komisioni i Agjencisë së Telekomunikacionit ka hyrë në qendrën tonë në Zveçan me policinë dhe ka qëndruar aty disa orë. Ky është frikësim klasik i punëtorëve dhe nuk është parë në praktikën evropiane”, tha Luçiq.

Ai do të ketë takime me ambasadorët e SHBA-së dhe vendeve anëtare të BE-së në Prishtinë.

Kompania “MTS d.o.o” që është në pronësi të Telekomit të Serbisë është gjobitur me 1 milion e gjysmë euro në dhjetor të vitit të kaluar, meqë siç njoftonte Agjencia Kosovare e Konkurrencës, ndërmarrja në fjalë ka shkelur ligjet për mbrojtjen e konkurrencës kur s’ka parashtruar kërkesë për njoftim me rastin e blerjes së 100 % të aksioneve të “VGN NET d.o.o”, “LIKA d.o.o”, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International.

“Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës njofton se ka marrë vendim që Ndërmarrjes MTS d.o.o Dega në Kosovë t’i shqiptohet masa e sanksionit administrativ-gjoba në shumë prej 1,563,959.26 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e tremijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë euro e njëzetë e gjashtë cent)”, thuhej në komunikatë. /Ballkani.info/

​