Basri Lenjani

Drejtori i SHSKUK-së: Pacienti i moshuar është dërguar për kujdes në shtëpi

Lidhur me rastin e mbrëmshëm në QKUK, ku u publikua videoja e një të moshuari që rënkonte në hapësirat e kësaj klinike, ka folur drejtori i SHSKUK-ut, Basri Lenjani.

Lenjani ka thënë se pacienti në fjalë që është pranuar në këtë klinikë, ka marrë trajtimet e nevojshme.

Ai po ashtu ka thënë se për pacientin e moshuar janë kryer mbi 19 analiza mjekësore.

“Pacienti është pranuar në klinikë, janë kryer të gjitha ekzaminimet përcjellëse, pas trajtimit është dërguar në dhomën e kirurgjisë. Pas konsulencave aty, është dërguar për kujdes në shtëpi”, ka thënë Lenjani.

I moshuari që u pa në videon e mbrëmshme, ishte sjellë nga Mitrovica, me shërbim mjekësor.

Lenjani ka thënë se gjatë vitit 2018, QKUK ka pranuar për tretman mijëra raste që kanë ardhur nga spitalet tjera.

“Ne si klinikë emergjente jemi në shërbim të qytetarëve. Gjatë vitit 2018 kanë kërkuar tretman mbi 57 mijë raste. Ky mbipopullim është ngarkesë që dërgohen nga Qendrat e Mjekësisë Familjare apo spitalet regjionale, por ne i kemi pranuar pa hezitim”, ka deklaruar Lenjani.

Këto deklarata, Drejtori i SHSKUK-së i dha pas publikimit të një video në rrjetet sociale ditën e djeshme, ku shihej një pacient i moshuar i cili si dukej nuk mundi të lëvizte nga dhimbjet, por për fat të keq ishte neglizhuar nga stafi i QKUK-së.

Video: