Drejtori i shkollës “Elena Gjika” jep detaje për helmimin e pesë nxënësve

Mëngjesin e sotëm, pesë nxënës të shkollës “Elena Gjika” janë dërguar në Klinikën Infektive të QKUK-së. Ata janë helmuar nga ushqimi të cilin e kanë ngrënë, por ende nuk dihet se ku janë ushqyer.

Drejtori i shkollës “Elena Gjika”, Betim Sylejmani, ka konfirmuar për Gazetën Express se fëmijët e helmuar janë nxënës të kësaj shkolle.

“E kemi informatën që 5 ose 6 nxënës janë shtri në spital, po presim analizat e fundit, sepse disa prej nxënësve marrin ushqim prej shtëpisë, disa blejnë në afërsi të shkollës dhe ushqimi që shpërndahet në shkollë. Janë të moshave dhe klasave të ndryshme”, ka thënë Sylejmani.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar zyra për informim në QKUK.

“Ju konfirmoj se 5 nxënës të shkollës fillore, janë duke u mjekuar ne Klinikën Infektive, nën dyshimet se janë të helmuar nga ushqimi”, ka thënë Shpend Fazliu.

Ai ka shtuar se nxënësit janë jashtë rrezikut për jetë.

loading…