Drejtori i shkarkuar: Përfitues të kontratave në MTI janë vetëm kompanitë që kanë lidhje me Endrit Shalën dhe Durim Limajn

I ftuar në emisionin “Pa maskë”, drejtori i shkarkuar i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Arton Muçaj ka drejtuar akuza të ashpra në adresë të udhëheqësve aktual të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) të udhëhequra nga NISMA e Fatmir Limajt.

Shkarkimit të tij i parapriu acarimi i marrëdhënieve midis partnerëve të koalicionit qeveritar, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limajt.

Muçaj pretendon se shkarkimi i tij erdhi si pasojë pasi që ai nuk lejoi që të veprohet kundërligjshëm dhe ngaqë u shëndërrua në pengesë për ata që dëshironin t’i keqpërdorini rezervat shtetëror.

Muçaj u shkarkua nga pozita të cilën e mbante tash e dy vite. Sipas tij, ky është një vendim i ngutshëm dhe i gabuar.

“Unë nuk mendoj se ata e kanë pasur qëllimin të më largojnë nga shërbimi civil ngase e dinë se nuk kanë mundësi. Munden një muaj, dy, tre… aq sa zgjasin procedurat. Por, ideja e tyre, ose qëllimi i tyre ka qenë të më largojnë prej sistemit sepse ata duan të keqpërdorin rezervat shtetërore dhe unë kam qenë pengesë”, ka deklaruar Muçaj në intervistën “Pa maskë”.

“Ata kanë bërë keqpërdorim të rezervave shtetërore… këtu i kam dokumentacionet që unë i ofroj. Normalisht, për krejt këto deklarime duhet mua të më thërrasë prokurori si të dal nga këtu dhe un i kam krejt faktet që ia dorëzoj. Ata vendosin se çka është ligjore e çka jo”, ka thënë Muçaj duke thënë se pretendimet se ai ka bërë shkelje dhe prandaj është shkarkuar, duhet qartësuar nga organet e drejtësisë.

Muçaj ka bërë publike edhe disa kontrata që sipas tij janë nënshkruar në mënyrë antiligjore nga sekretari permanent i MTI-së, Burim Rreci. Me këto kontrata ai pretendon se është dëmtuar buxheti i shtetit të Kosovës dhe se këto kontrata i ka inciuar edhe në polici.

Ai ka veçuar edhe kontratën e bërë me kompaninë e dhëndrit të Fatmir Limajt për ruajtjen e grurit ku kompania përfiton 25 mijë euro në vit, ndërsa më parë gruri ruhej në një depo pa pagesë. Sipas tij, kjo kontratë është bërë në kohën kur ministër i Tregtisë dhe Industrisë ishte Endrit Shala.

Në intervistën “Pa maskë” ish drejtori i Departamentit për Rezerva Shtetërore ka ftuar prokurorinë që të hetojë rastin me pretendimin se posedon dokumente të cilat vërtetojnë keqpërdorimet.

Muçaj ka thënë se është ballafaquar me presione nga më të ndryshmet nga sekretari i kësaj ministrie, Burim Rreci i cili fillimisht kishte kërkuar punësimin e një personi dhe kur kishte hasur në refuzim, i kishte dërguar vërejtje me shkrim. Po ashtu, ish drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore ka thënë se ka pasur rast kur këshilltari i ministrit aktual të MTI-së Vesel Krasniqi nga radhët e NISMA, kërkoi që të blihen maska për të përfituar ministri me firmën e tij.

Sipas tij, edhe në takim me ministrin, ai ka insistuar që të blihen maska dhe materiale shëndetësore, përkundër faktit se strategjia e rezervave shtetërore nuk është kompetencë ekskluzive veç e MTI-së, por e disa ministrive.

“Më pas e kuptova se Vesel Krasniqi e paska një fabrikë që prodhon maska dhe ka dashtur që në kohën e pandemisë të blejë maska me shumicë për rezervat shtetërore. Që është absurd”, ka thënë Muçaj duke treguar vendondhjen e kompanisë në rajonin e Malishevës, në vendin e quajtur Bellanicë.

Muçaj ka thënë se në MTI ka keqpërdorime nga më të ndryshmet dhe se askush nuk guxon ta ngrisë zërin ngaqë kushdo që flet, suspendohen, shkarkohen ose ju ndërrohet vendi i punës.

Ai ka ngritur edhe çështjen çështjen e nepotizmit në MTI duke thënë se aty është e punësuar edhe bashkëshortja e drejtorit të zyrës ligjore, si dhe ka shumë kontrata të tjerë me lidhje të afërta familjare. Sipas tij, në MTI nuk respektohet as ligj, as rregull dhe se aty situata mund të përshkruhet me fjalën “tmerr”.

Muçaj pretendon se përfituese të kontratave janë vetëm ato kompani që kanë lidhje me NISMAN, konkretisht me Endrit Shalën dhe Durim Limajn.