Drejtori i Shëndetësisë së Istogut jep detaje për 52-vjeçarin që vdiq nga koronavirusi

Një 52-vjeçar nga Istogu është viktima e 41-të nga koronavirusi në Kosovë.

Ai ishte u trajtuar në QKUK, dhe vdiq si pasojë e infektimit me COVID-19 dhe komplikimeve tjera shëndetësore.

Drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, ka thënë për Gazetën Express se viktima ka pasur sëmundje të mushkërive.

“Viktima është dërguar në QKUK para rreth 4-5 ditësh. Ka pasur probleme shëndetësore me mushkëri, bronhit”, ka thënë Osmanaj.

Osmanaj tha se tre anëtarë të familjes së viktimës po i presin rezultatet e testimeve për COVID-19.

“Tre anëtarë të familjes së viktimës po i presin rezultatet e testimeve, mostrat e tyre janë dërguar të dielën”, ka deklaruar Osmanaj.

Ndërkohë, të mërkurën në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 311 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, ku kanë rezultuar pozitive 95 raste.

Rastet pozitive janë nga Peja, Vitia, Prizreni, Prishtina, Mamusha, Gjilani, Gjakovës, Istogut, Lipjani, Mitrovicë, Fushë Kosova, Kllokoti, Malisheva, Rahoveci dhe Vushtrria.

Me rastet e mbrëmshme, numri i personave që kanë rezultuar pozitivë ka shkuar në 2 mijë e 363, ku prej tyre janë shëruar 1 mijë e 171 pacientë.

Ndërkaq me vdekjen e 52-vjeçarit nga Istogu, numri i viktimave të COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 41.