Drejtori i RTK-së u reagon sërish 9 gazetarëve, thotë se të gjithë kërkuan të bëheshin redaktorë

Drejtori ekzekutiv i Radio Televizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati, përmes në reagimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se secili nga nëntë gazetarët i kishin kërkuar atij që të avancohen në pozitën e redaktorit, duke shtuar se RTK nuk është pronë e tij dhe nuk mund ta avancojë këdo që do ai.

Ai madje ka shkruar se nuk do të bëjë paqe me askënd në kurriz të RTK’së.

Ndër tjera, Kastrati ka shkruar se është meritë e tij se janë ndërprerë anekset dhe shpërblimet, produktet e jashtme e kontrata me shërbim për punëtorët e RTK’së.

Dje gjatë ditës, u raportua për hallakamën e cila po ndodh në mediumin publik të Kosovës. Nëntë gazetarë të RTK-së kishin vendosur t’i kërkojnë të drejtat e tyre duke shkruar letra dhe kërkesa në drejtim të menaxhmentit. Kanë kundërshtuar emërimin e një redaktori të lajmeve për të cilin kanë thënë se s’ka pasur diplomë kur është pranuar në punë në RTK.

Ata kishin kërkuar konkretisht që Besart Galica nuk do ta pranojnë si redaktor. Në anën tjetër, pas raportimeve, drejtori i gjeneral i RTK’së, gjatë ditës së shtunë kishte akuzuar nëntë gazetarë të televizionit publik se po tentojnë ta destabilizojnë RTK’në e që sipas tij ata janë pjesë e një skenari politik, pa përmendur parti të caktuara politike.

Ndërsa gjatë se dielës, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët e dënuan gjuhën denigruese ndaj gazetarëve, duke e paralajmëruar se RTK’në se nëse nuk vepron ndryshe do të përballet me ligjin.

Ndërsa, gjatë së dielës kishin reaguar edhe nëntë gazetarët në fjalë. Ata e kishin cilësuar gjuhën e drejtorit si kërcënuese dhe linçuese.

Për më tepër, ata edhe akuzojnë se qëllimi i gjithë kësaj tollovie, sipas informacioneve të tyre është që të bëhet zëvendësimi i tyre dhe të punësohen gazetarë të rinj pa konkurs.

Reagimi i plotë i Kastratit:

Edhe një sqarim për situatën e krijuar nga një grup i gazetarëve në dhomën e lajmeve në RTK.

Në të gjitha takimet që kam pasë me 9- kolegët gazetarë, kërkesë e vetme e tyre ka qenë që të gjithë të avancohen në pozitën e Redaktorit.

RTK nuk është pronë e imja, dhe une nuk mundem që brenda ditës të avancojë kend të dua unë.

Të njëjtit janë vlerësuar dhe 7 prej tyre janë avancuar, por jo në pozitën e redaktorit.

Pra, nuk kemi pasë nevojë që për një moment dhomës së lajmeve ti shtohen 9 redaktorë.

Kerkesë e tyre e fundit ka qenë sistemimi në sektorë tjerë. Dmth bëhet fjalë për kerkese per sistemim të cilen e kam aprovuar.

RTK është themeluar dhe vepron sipas ligjit.

Nuk dorëzohem me as një çmim përpara askujt, do të veprojë sipas ligjit dhe rregulloreve të brendshme.

Nuk do të blejë paqe me askend në kurriz të RTK-së.

Jam i përkushtuar së bashku me të gjithë punëtorët e RTK-së, ta zhvillojmë dhe ta ruajmë RTK-në.

Ndoshta edhe dikujt i dhemb, që për një kohë të shkurtë sa jam në këtë pozitë kam marrë vendime mjaftë të vështira.

– Kam ndërpre të gjitha anekset dhe shpërblimet

– Kam nderprerë para kohe të gjitha produktet e jashtme

– Kam ndeprerë kontrata me sherbime të punetorëve të cilet me vite kanë punuar në RTK.

– Kam ulur shpenzimet në të gjithë sektorët.

– Kam marrë edhe shume vendime të tjera të cilat sigurisht që kanë qenë të vështira, por të gjitha këto vendime i kam marrë për të mirë të RTK-së.

Edhe nje herë po e perserisë se nuk do të toleroje situata qe e destabilizojne RTK-ne.

Partner ne menaxhim nuk do ti beje as partite politike, as organizatat joqeveritare e as portalet, ndërkaq jam i gatshëm të jap llogari para kujt do, që është i thirrur për të mbikqyrur RTK-në.

Për vëmendje: Këta gazetarë nuk e përbëjnë shumicën e gazetarëve të RTK-së, madje as 1/4 e gazetarëve të RTK-së.