Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Hysen Hudozi, ka njoftuar se janë ekzekutuar pagat për muajt tetor dhe nëntor, pasi Qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet e nevojshme për funksionimin e transmetuesit publik.
Në një reagim drejtuar stafit, Hudozi tha se kjo u bë e mundur pas përpjekjeve të vazhdueshme institucionale për të nxjerrë RTK-në nga situata e rënduar financiare, të cilën ai e lidhi me mungesën e vendimmarrjes nga Kuvendi i Kosovës.
“E di që kjo periudhë ka qenë sfiduese për institucionin tonë, dhe dua t’i falënderoj të gjithë ata që, me besim, durim dhe përkushtim, kanë kontribuar në ruajtjen e funksionimit të RTK-së,” u shpreh Hudozi.
Ai theksoi se gjatë vitit RTK ka punuar në rrethana të jashtëzakonshme, duke u përballur me vështirësi të theksuara financiare. Megjithatë, sipas tij, puna ka vazhduar me përmirësime në marrëdhëniet me punëtorët, forcimin e ligjshmërisë dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Drejtori i përgjithshëm shtoi se pas konstituimit të Kuvendit të ri, që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, RTK do të angazhohet për të gjetur zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme ligjore për financimin, pronësinë dhe çështjet e tjera thelbësore për funksionimin e transmetuesit publik.
“Ne kemi një vizion të qartë për të ardhmen e RTK-së si një transmetues i mirëfilltë publik dhe do të punojmë me vendosmëri për ta realizuar atë,” përmbylli Hudozi.







