Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati i cili sot tha se në RTK janë 100 punëtorë me paga më të larta se të ministrave.
“Është absolutisht e pavërtetë se në RTK janë 100 punëtorë me paga më të larta se të ministrave. Këtë e di shumë mirë edhe Ministri Murati. Buxheti për pagat mbetet po ai i njëjti i para tri viteve dhe si Kryetar i Komisionit paraprak i Financave, Ministri Murati është i njohur me këtë fakt”, ka shkruar Kastrati.
Sipas tij, përpjekjet për ta sulmuar politikisht RTK-në nëpërmjet manipulimit me të vërtetat faktike është veprim i ulët, por i pakalueshëm.
“Vetë fakti se uljen e buxhetit për RTK-në mundohen ta argumentojnë me të dhëna të fabrikuara dëshmon se ky vendim është absolutisht i paarsyeshëm dhe i paarsyetuar. Kujtojmë se buxheti i RTK-së është më i ulëti krahasuar me mediumet publike në rajon. Shkurtimi i mëtutjeshëm i këtij buxheti zbulon hapur tendencën politike për ta degraduar mediumin publik, në vend se të synohej zhvillimi i tij, si një resurs i domosdoshëm publik”, ka shkruar në fund Kastrati. /Ballkani.info/







