Gazmend Hoxha

Drejtori i Policisë viziton vendin ku Policia u përball me terroristët në Banjskë

Pas zhvillimeve në fshatin Banjskë në veri të vendit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga menaxhmenti i lartë i PK-së, vizituan vendngjarjen në fshatin Banjskë.

Po ashtu gjatë kësaj vizite menaxhmenti i PK-së u shoqëruan me Zëvendës Komandantin e  KFOR-it si dhe takuan këshilltarin e EULEX-it për drejtorinë rajonale Mitrovicë veri, me të cilët diskutuan rreth situatës së sigurisë.

“Gjatë vizitës në disa lokacione në fshatin Banjskë ata takuan dhe inkurajuan zyrtarët e institucioneve të sigurisë të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po kryejnë detyrat në mënyrë aktive në teren, me qëllim të krijimit të një sigurie më të madhe për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Njëkohësisht drejtori Hoxha, u interesua rreth ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve nga njësitet policore dhe siguroi që PK-ja do të vazhdojë tu ofrojë ndihmë qytetarëve sipas nevojave dhe kërkesave të tyre.

“Drejtori i PK-së, shprehu mirënjohje ndaj zyrtarëve policorë dhe i falënderoi ata për punën e tyre të suksesshme  dhe profesionale në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe terroriste”, përfundon njoftimi.