Rashit Qalaj

Drejtori i policisë: 4 mijë policë janë angazhuar për mbikëqyrjen e respektimit të masave kundër COVID-19

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë për Gazetën Sinjali se aksioni i cili u zhvillua në orët e mbrëmjes së sotme është bërë për shkak të situatës së rënduar me koronavirus në vend.

Qalaj ka shtuar se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe për këtë janë angazhuar 4 mijë policë.

“Aksioni do të vazhdojë për çdo natë. Varësisht prej nevojës zgjatë edhe aksioni. Aksioni do të vazhdojë pa ndërprerë për shkak të gjendjes shumë të rëndë me COVID-19. Në këtë plan operativ vetëm për mbarëvajtjen e respektimit të masave janë të angazhuar 4 mijë policë në nivel vendit” ka thënë Rashit Qalaj për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për mbylljen e disa lokaleve në nivel vendi për mosrespektimin e masave kundër koronavirusit.