Drejtori i Klinikës së Biokimisë në QKUK dhe 5 të tjerë hyjnë në vetizolim pas dyshimeve për koronavirus

Drejtori i Klinikës së Biokimisë në QKUK Dr. Shemsi Veseli dhe pesë anëtarë të stafit mjekësor nga kjo klinikë, janë vendosur në vetizolim për shkak të koronavirusit.

Lajmin e ka konfirmuar vet biokimisti Veseli i cili ka treguar se ai dhe pesë anëtarë të stafit nga kjo klinikë janë vetkarantinuar, për shkak se kanë pasur kontakt me një person të konfirmuar pozitiv me koronavirus.

“Njëri nga ne kemi pasur kontakt me një person të konfirmuar pozitiv me koronavirus dhe si rrjedhojë jemi vendosur në vetkarantinim. Të gjithë kemi qenë të mbrojtur me dorëza dhe maska, por për shkak të preventivës duhet të vetizolohemi derisa të konfirmohemi me analiza”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka thënë se stafi i klinikës së tij duhet të furnizohen me mjete mbrojtëse për shkak se janë pjesë e vijës së parë të stafit mjekësor të cilët po punojnë me pacientë të dyshuar ose të konfirmuar me koronavirus.

Edhe punëtorë të tjerë shëndetësorë kryesisht në komunat si Vitia, Malisheva dhe Klina janë në vetizolim ose karantinë për shkak të dyshimeve se janë prekur nga koronavirusi pasi kanë pasur kontakte me të konfirmuarit.