Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Torakale në QKUK, Nazmi Kolgeci, ka treguar për gjendjen shëndetësore të policit që mbeti i plagosur nga arma e zjarrit në orët e para të ditës së sotme, në veri të Kosovës.

Kolgeci tha për Ballkani.info se polici është nënshtruar një intervenimi dhe të njëjtit i është larguar një predhë metalike që dyshohet se është e armës së zjarrit.

“Sot rreth orës 6 të mëngjesit kemi pranuar një pacient, i cili është pjesëtar i Policisë së Kosovës, i njëjti ka pasur lëndim me armë të zjarrit. Lëndimi është në regjionin e krahut të majtë, intervenimi është bë në Kirurgjinë Torakale. Është bërë heqja e predhës,  gjendja e pacientit është stabile,  e ka një lëndim edhe në këmbën e djathtë nga arma e zjarrit”, tha Kolgeci.

Ai tha më tej se polici do të vazhdojë trajtimin në klinikë për t’iu përcjellë gjendja nga afër.

Kujtojmë se sulmi ndaj Policisë së Kosovës ndodhi sot në fshatin Banjskë, ku mbet i vrarë një polic dhe u plagos një tjetër. Po ashtu një polic tjetër mbeti i lënduar./Ballkani.info