Drejtori i afërt me Kusari-Lilën përleshet fizikisht me një qytetar në mes të rrugës

Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, të mërkurën në mbrëmje është përfshirë në një përleshje fizike me fqinjin e tij, Besnik Sharani. Përveç Krasniqit, e lënduar mbeti edhe gruaja e tij, derisa po tentonte të ndërhynte në mes tyre.

Në pamjet e mëposhtme, shihet se si fillimisht ata bisedojnë mes vete, e më pas gruaja e Hasan Krasniqit tenton që ta largojë bashkëshortin nga vendi i ngjarjes. Nga aty ai niset sërish në drejtim të të dyshuarit tjetër, por gruaja i del sërish përpara dhe e pëson.

Sipas videos të publikuar nga Sinjali, rrahja ka nisur nga njëra anë e rrugës e ka vazhduar në anën tjetër, ku të dyshuarit vazhdimisht kanë sulmuar njëri – tjetrin.

Në fund, shihet se si i dyshuari Sharani, sulmon fizikisht edhe disa herë Krasniqin, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar se kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe i dyshuari Sharani është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa kryeshefi Krasniqi është intervistuar në cilësinë e viktimës, përkundër që dëshmohet edhe në pamje se edhe ai është i përfshirë në rast.

Ndryshe, Gazeta Insajderi kishte raportuar në janar të këtij viti se Hasan Krasniqi, biznesmen i afërt me Mimoza Kusari-Lilën është emëruar në krye të kompanisë ujësjellësi në Gjakovë. Krasniqi, po ashtu ka qenë edhe kanididat për asamble në komunën e Gjakovës, në listën e Vetëvendosjes në zgjedhjet e tetorit 2021.

Në vendimin e siguruar nga Gazeta Insajderi, Hasani sipas vendimit të bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje është zgjedhur si kandidati me pikët maksimale.

Hasani, ka në pronësi kompaninë e udhëtimeve “Shpat Tours”. Kjo kompani njihet për udhëtime të shumta në vendet të ndryshme turistike në botë, duke përfshirë Zanzibarin, Ishujt Maldive, Egjiptin, Turqin etj.

Hasani gjithashtu ka qenë kandidat për asamblenë komunale në Gjakovë me Alternativën e Mimoza Kusarit edhe në vitin 2017.