Drejtoresha e shkollës: Nxënësit që dyshohet se u helmuan në Mitrovicë po kthehen në shtëpi (VIDEO)

Drejtoresha e shkollës së fshatit Besi të Prishtinës, Xhevrie Osmani, thotë se nxënësit që dyshohet se u helmuan në Mitrovicë po kthehen në shtëpi.

Osmani, në Edicionin Special në Klan Kosova, tha se pasi janë kryer të gjitha ekzaminimet mjekësore dhe ligjore të njëjtit po kthehen tek prindërit.

“Sot, shkolla jonë ka pasur vizitë me karakter mësimi në muzeun e kristaleve në Mitrovicë, sa për t’i gëzuar fëmijët pak i kemi dërguar për t’i ushqyer në njërin prej restoranteve këtu në Mitrovicë tek liqeni dhe pastaj kanë filluar simptomat tek 10 fëmijë”.

“Dy mësimdhënëse si pasojë e shqetësimit kanë marrë tretman mjekësor. Prindërit janë të njoftuar për gjendjen dhe janë duke pritur që t’i kthejmë fëmijët në shtëpi. Tre prindër kanë ardhur deri këtu, ndërsa unë kam komunikuar me të gjithë prindërit”, tha ajo.