Drecun: Takimet në Bruksel janë të kota derisa nuk plotësohen kushtet e Serbisë

Kryetari i të ashtuquajturit “komisionit serb për Kosovën”, Millovan Drecun, ka pretenduar se vëmendja e BE-së dhe e SHBA aktualisht është e përqendruar në organizimin e një takimi të nivelit të lartë në Bruksel, gjë që sipas tij “është e gabuar sepse vëmendja duhet të fokusohet në deeskalimin e situatës në veri të Kosovës”.

Duke komentuar vizitën e djeshme të të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, Drecun ka thënë për televizionin serb RTS se “nuk e sheh se cili mund të jetë rezultati i takimit të nivelit të lartë” dhe ka shtuar se “vëmendja duhet të përqendrohet në heqjen e arsyeve që çoi në situata të tilla, gjegjësisht heqjen e arsyeve që bënë që serbët të largoheshin nga institucionet”.

“Presioni ndaj Albin Kurtit po dobësohet, ai po luan me de-përshkallëzimin, duke krijuar iluzione. Nuk ka indikacione se policia do të tërhiqet nga veriu, vetëm se intensiteti i terrorit ndaj serbëve me sa duket është ulur – arrestimet ende po bëhen. Ende nuk janë bërë dhe as hapat e parë për formimin e Asociacionit dhe derisa kjo të zgjidhet, mendoj se është e kotë të organizohen takime të samitit”, parapërgatit Drecun qëndrimin serb në takim, transmeton Paparaci.

Ai ka shtuar se si duket se synimi është të tregohet se diçka po bëhet dhe se po i “luten Zotit” që në atë takim të merren vesh për diçka, por se nuk ka zgjidhje reale.

Ai gjithashtu përkujton se presidenti francez Emmanuel Macron, ka paralajmëruar edhe Serbinë edhe Kosovën.

Drecun shton se pas kësaj, fokusi zhvendoset në presionet ndaj Beogradit për të pranuar atë që kemi thënë se “është e papranueshme”.

“Ne kemi thënë se nuk do të pranojmë apo zbatojmë dy pika nga propozimi francezo-gjerman, që është vendosja e marrëdhënieve me Kosovën mbi parimet e integritetit territorial dhe sovranitetit, që është njohje de facto e Kosovës, dhe t’u ofrohet mundësia për t’u bërë anëtarë të organizatave ndërkombëtare”, pretendon Drecun.