Drecun: “Serbët nuk i kanë kryer sulmet ndaj Policisë së Kosovës”

Kryetari i të ashtuquajturës Këshill i Kuvendit serb për Kosovën, Millovan Drecun ka deklaruar se “brengoset për hyrje” të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, për shkak të, siç tha ai, “gjoja sulmeve ndaj Policisë së Kosovës”.

“Këto sulme ndaj Shërbimit Policor të Kosovës në veri, janë shumë të çuditshme dhe të dyshimta, sikur dikush po i planifikon saktësisht ato. Kush janë ata, kujt i përgjigjet jostabiliteti në veri të Kosovës? Sigurisht jo për serbët, jo për Beogradin”, përpiqet Drecun t’ia lë fajin “dikujt tjetër”.

Ai ka pretenduar se Beogradi e kundërshton praninë e forcave speciale të policisë së Kosovës në veri, sepse siç thotë ai, “shkakton tensione”.

“Tani kemi një situatë të re që për shkak të mosbindjes civile të pretenduar në shtator të vitit të kaluar, qytetarët tanë në veri do të ftohen në biseda informative dhe nëse nuk përgjigjen do të fillojnë arrestimet, prandaj është e drejtë legjitime e popullit serb ta mbrojë të drejtën për jetë”, kërcënon Drecun.

Duke komentuar vizitën e delegacionit amerikan të kryesuar nga Ndihmës Sekretarja Amerikane për Evropë dhe Azi, Karen Donfried në Beograd, Drecun vuri në dukje deklaratën e saj në Prishtinë se vëmendja në dialog duhet të fokusohet në njohjen reciproke, të cilën Albin Kurti, sipas Drecunit, “po përpiqet ta imponojë, dhe për këtë nuk ka përparim në dialog”.

“Tani e shohim se ishte një taktikë për të cilën janë marrë vesh Kosova dhe Shtetet e Bashkuara”, pretendon Drecun.

Ai ka thënë se qëndrimet e tilla të Uashingtonit nuk janë konstruktive, se nuk mund të çojnë në zgjidhje dhe se tregojnë se politika amerikane është sërish në rrugën e njëanshmërisë, ku, sipas tij, Kosova ka mbështetje për gjithçka, ndërsa nuk merren parasysh interesat e Serbisë.