Dramë në Mal të Zi: Abazoviq thotë se partia e tij do të votojë për shkarkimin e Gjukanoviq

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se Kuvendi duhet të votojë iniciativën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviq.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se kjo do të dërgonte një mesazh të rëndësishëm politik.

Deputetët e shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 shtator, procedurën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviq.

Ata pretendojnë se Gjukanoviqi ka shkelur Kushtetutën gjatë procedurës për emërimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

“Tashmë jemi një shumicë e sapo-konstituuar, e cila mbështet formimin e një Qeverie të re, por është mjaft e larmishme me subjekte të ndryshme politike, që kanë vizione të ndryshme. Zgjidhja me siguri do të vijë në zgjedhje, por nuk është presidenti ai që do të vendosë se kur do të zhvillohen ato zgjedhje”, tha Abazoviq.

Pas rrëzimit të qeverisë së Dritan Abazoviqit, më 20 gusht, tri partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi ranë dakord që Miodrag Lekiq të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve – sa kanë bashkërisht në Kuvendin prej 81 ulësesh.

Gjukanoviq e refuzoi propozimin që Llekiq të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re të këtij vendi, me arsyetimin nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme.

Ai në të njëjtën kohë, propozoi shkurtimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kuvendit të Malit të Zi, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Partitë e shumicës parlamentare kundërshtuan zgjedhjet e reja dhe vazhduan të këmbëngulin që Gjukanoviq duhet ta pranojë Lekiqin si mandatar, dhe një ditë pas përfundimit të afatit i dorëzuan 41 nënshkrimet e tyre në mbështetje të kandidaturës së Lekiqit.

Abazoviq tha në intervistë se ka diskutuar edhe me zyrtarë amerikanë edhe “akuzat se Rusia financoi fshehtas Frontin Demokratik në vitin 2016 dhe ndoshta në 2018”.

Ai tha se financimi i paligjshëm i partive politike duhet të jetë pjesë e agjendës në luftën kundër korrupsionit.

Më 14 shtator, SHBA-ja tha se Rusia financoi fshehurazi parti në Shqipëri, Bosnje e Mal të Zi

Raporti përmend financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, për zgjedhjet e vitit 2018, si dhe fonde për partinë pro-ruse në Mal të Zi, Fronti Demokratik.

Në intervistën pas fjalimit të tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Abazoviq tha se Mali i Zi nuk do të ndryshojë kursin e politikës së jashtme dhe se këtë ua kishte përcjellë edhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Ne mbetemi një partner solid dhe i besueshëm për botën euroatlantike, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Natyrisht, duhet të punojmë më shumë për të promovuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Besoj se kemi bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, por ende ka vend që të jemi edhe më mirë”, tha ai.

Abazoviq tha po ashtu se Mali i Zi qëndron pranë partnerëve të tij dhe popullit të Ukrainës.

“Ata me siguri mund të llogarisin tek ne si një partner i besueshëm i NATO-s dhe një vend që synon të jetë anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian”, tha tha ai.