Draft-statusi për “Zajednicën”, Gabriel Escobar i pranishëm në takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të qëndrojë sot gjatë ditës në Bruksel ku edhe do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe kreut të shtetit serb Aleksander Vuçiq.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media.

Po ashtu, është bërë e ditur se Escobar do të  mbajë edhe një konferencë për media nesër, në të cilën do të flasë për takimet që ai do të zhvillojë sot dhe për atë që do të prodhojë takimi Kurti-Vuçiq.

Në konferencën për media Escobar do të flasë për të gjitha takimet e nivelit të lartë që ai ka marrë pjesë deri tani.

Ndërkohë, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pak para takimit të sotëm të nivelit të lartë ka thënë se statuti i Asociacionit duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane. përcjell Demokracia.com.

Lajçak tha se ekipi menaxhues do të prezantojë draftin teksa shtoi se ai nuk e di përmbajtjen por thotë se procesi duhet të fillojë.

“Së fundi, duhet të kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm”, tha Lajçak për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”.

Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel prite të nis në ora 18:00.