Dr. Mario World, 2 milionë shkarkime dhe 100 mijë dollarë të ardhura në 72 orë

Aventura më e re e Nintendo në lojërat mobile Dr. Mario World arriti 2 milionë shkarkime 72 orë nga lançimi në iOS dhe Android.

Loja e pestë mobile e Nintendo tërhoqi 100,000 dollarë të ardhura për të njëjtën periudhë sipas të dhënave të Sensor Tower.

Dr. Mario World ofron një eksperiencë loje të stilit Candy Crush ndryshe nga loja origjinal Dr. Mario e cila ngjan me Tetris.

Loja është falas për të luajtur ku lojtarët mund të kalojnë përmes niveleve pa shpenzuar asnjë qindarkë. Megjithatë kur fillojnë të luajnë, lojtarët janë të kufizuar në vetëm pesë “zemra” ku secila prej tyre ofron gjysmë ore lojë.

Lojtarët që nuk duan të paguajnë duhet të presin deri në gjenerimin e “zemrave” të reja ndërsa ata që duan të vazhdojnë lojën mund të blejnë diamante të cilët përdoren për të blerë më shumë “zemra” dhe kaluar nivelet.

Por shkarkimet dhe të ardhurat e Dr. Mario në 72 orë as që krahasohen me performancën e dy titujve të parë të Nintendo. Super Mario Run u shkarkua 4.3 milionë herë dhe gjeneroi 6.5 milionë dollarë pavarësisht se kur debutoi ishte i disponueshëm vetëm në iOS.

Fire Emblem Heroes u shkarkua 4.9 milionë herë dhe gjeneroi 11.6 milionë dollarë. Animal Crossing u shkarkua 6 milionë herë por vetëm 1.4 milionë dollarë të ardhura.

Të dhënat e para të Dr. Mario World janë më të ulëta sepse ka një tjetër model gjenerimi të ardhurash. Edhe Candy Crush Friends Saga kur debutoi fitoi vetëm 137 mijë dollarë në 72 orët e para.

loading…