Rrahja në Kuvend

Dosja e Prokurorisë për përleshjen në Kuvend, për çka akuzohen Bislimi, Beqa, Lushtaku dhe Haxhiu?

Prishtinë- Prokuroria Themelore në Prishtinë të hënën ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mergim Lushtaku, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës.

Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, rezulton të jetë ngritur më 24 tetor 2023.

Për çka akuzohet zëvendëskryeministri Besnik Bislimi?

Sipas aktakuzës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi akuzohet se gjatë seancës plenare të 13 korrikut 2023, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, pasi ky i fundit i kishte hedhur ujë Bislimit.

Sipas Prokurorisë, Lushtaku këtë e kishte bërë në shenjë revolte pasi i akuzuari Bislimi paraprakisht e kishte hequr një foto të Kryeministrit Albin Kurtit të paraqitur në formë të “Pinokios”, e vendosur paraprakisht nga disa deputetë. Pasi kishte hedhur ujë Lushaku në drejtim të Kryeministrit dhe më pas të Bislimit, thuhet se Bislimi në shenjë revolte e kishte gjuajtur me shishe Lushtakun, e më pas me dashje e kishte goditur edhe me grushte dore në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku, veprime të cilat shihen nga kamerat e sigurisë brenda sallës së lkuvendit.

Me ketë, Bislimi akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi”, sipas nenit 184 par.1 të Kodit Penal.

Për çka akuzohet deputeti Mergim Lushtaku?

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi se i pandehuri Mergim Lushtaku më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit Besnik Bislimi. Aty thuhet se pas krijimit të situatës së eskaluar në Kuvend, i pandehuri Lushtaku me dashje e kishte sulmuar fizikisht Bislimin, duke e goditur me shuplakë në fytyrë, veprime të cilat shihen përmes kamerave të sigurisë që gjenden brenda sallës së Kuvendit.

Me këtë, Lushtaku akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” sipas nenit 184, patr.1 të Kodit Penal.

Për çka akuzohet deputeti Hajdar Beqa?

Kurse, i pandehuri Hajdar Beqa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thuhet se më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit, gjatë seancës plenare, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit, ministrit të Financave, Hekuran Murati. Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Murati kishte parë se deputeti Lushtaku kishte hedhur ujë në drejtim të Kryeministrit të Kosovës, i njëjti ishte ngritur në këmbë për të parandaluar ndonjë sulm ndaj Kryeministrit dhe atëherë i pandehuri me dashje e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Murati, duke e goditur me grusht në fytyrë mbi vetull, veprime të cilat shihen përmes kamerave të sigursv në Kuvend.

Me këtë, Beqa kauzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, par.1 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Beqa, më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit gjatë seancës plenare, i revoltuar nga situata e krijuar mes deputetëve të PDK-së dhe disa anëtarëve të kabinetit qeveritar, me dashje që t’i shkaktojë dëm material të dëmtuarit Hekuran Murati, të njëjtit me forcë nga fytyra ia ka tërhequr syzet e tij, e më pas i hedh në tokë, duke ia dëmtuar ato, duke i shkaktuar dëm material në vlerë të pacaktuar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 321, par.1 të Kodit Penal.

Për çka akuzohet deputeti Bekim Haxhiu?

Gjithnjë sipas aktakuzës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, akuzohet se në seancën e Kuvendit, në të njëjtën datë, kishte përdorur forcë fizike, ndaj tani të dëmtuarit Hekuran Murati, kjo pas situatës së krijuar mes deputetit Mergim Lushtaku dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar. Sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhiu, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit Murati, e ka goditur me grusht në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar ndrydhje të indeve në nofull, dëmtime të kualifikuara si lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, Haxhiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, sipas nenit 185, par.1, pika 1.4 të Kodit Penal.

Me këtë aktakuzë, është propozuar që gjatë administrimit të provave të nxjerren dhe shikohen si prova: një CD me video-incizime nga regjia në Kuvend, CD-ja me video-incizime nga Kuvendi më 13 korrik 2023, një CD me video-incizime të marrë nga DIA lidhur me rastin e Kuvendit, foto-dokumentacioni që gjendet në shkresat e lëndës, deklaratat e të pandehurve dhe të dëmtuarve dhe informacionet e siguruara gjatë procedurës penale, raportin mjekësor, mendimin e ekspertit mjeko-ligor dr.Naim Uka.

Përmes aktakuzës së ngritur nga prokurorja Nebahate Salihu, propozohet që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor publik, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas Kodit dhe të njëjtit të obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.