Dosja e Prokurorisë

Dosja e Prokurorisë: Liridona Ademaj dyshohet se u qëllua me plumb në qafë nga afërsia

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në arsyetimin për kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, Gjykata ka thënë se Liridona Ademaj dyshohet se është qëlluar me plumb në qafë nga afërsia, nga i dyshuari G.P.

Sipas Prokurorisë, Naim Murseli e kishte inskenuar tërë ngjarjen.“..e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes” – thuhet në arsyetim.

Për këto veprime i dyshuari Naim Murseli paraprakisht i kishte premtuar të dyshuarit tjetër G.P. shumën e të hollave prej 30 mijë eurove.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Liridona Ademaj-Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.