Dosja e Prokurorisë: Grupi terrorist që planifikonte sulme në Kosovë i lidhur me ISIS

Kallxo.com ka publikuar dosjen e Prokurorisë për pesë të dyshuarit për përgatitje të sulmeve terroriste, ku thuhet se cak i sulmeve ishte Kosova.

Në dosjen e publikuar përmendet edhe lidhja e tyre më organizatën terroriste ISIS.

Kjo lidhje është përmendur në vendimin për fillimin e hetimeve të Policisë së Kosovës më saktësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit.

Sipas vendimit, Gjuraj dhe katër personat e tjerë që nga muaji mars i këtij viti kanë bërë përpjekje për të ndërtuar një strukturë organizative për kryerje të sulmeve terroriste në Kosovë.

Në vendim tutje thuhet se të njëjtit kishin kontraktuar me një person me gradë të lartë në ISIS i cili ishte angazhuar që të siguroj armatim të llojit, murtajë dore, eksploziv si dhe armë të zjarrta me municion, të cilat janë janë konfiskuar gjatë dy ditëve të kaluara.

Sipas kërkesës për paraburgim, të dyshuarit kishin role të ndara për kryerjen e veprave penale.

KALLXO.com ka raportuar se tre muaj hetime janë zhvilluar nga ana e policisë dhe prokurorisë i cili përfundoi me arrestimin e pesë personave tri ditë më parë nën dyshimin se të njëjtit po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë.

Sipas të njëjtit vendim thuhet se fillimisht Policia e Kosovës, Drejtoria Kundër Terrorizmit me datë 26 gusht kishte paraqitur kallëzim penal kundër të dyshuarit tashmë të arrestuar Ardijan Gjuraj për shkak se i njëjti po dyshohej se së bashku me disa persona të tjerë po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë.

Ardijan Gjuraj së bashku me katër persona të tjerë, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqën e Shkodran Krasniqin, janë arrestuar të dielën e javës së kaluar nga ana e Policisë së Kosovës.

Të njëjtit po dyshohen për disa vepra kontretisht, përgatitjen e sulmeve terroriste në Kosovë, mbajtje në pronësi të armëve pa autorizim si dhe import, eksport, furnizim e transport të armëve apo materialeve plasëse.