Dortmundi zyrtarizon blerjen e parë

Borussia Dortmund ka zyrtarizuar afrimin e parë të verës, vetëm pak ditë pas përfundimit të Bundesligës.

Verdhezinjtë kanë nënshkruar me anësorin e majtë të përfaqësueses gjermane, Nico Schulz, që luante në Bundesligë me Hoffenheimin.

26-vjeçari, i cili ka luajtur 71 ndeshje me Hoffenheimin, do të jetë i lidhur me Dortmundin për 5 vitet e ardhshme, çka do të thotë se kontrata do t’i përfundojë më 30 qershor të vitit 2024.

“Dortmundi është klubi më i mirë, stili i të cilit më pëlqen shumë. Mendoj se mund ta ndihmoj ekipin, së bashku mund të arrijmë diçka të madhe”, – deklaroi 26-vjeçari pas zyrtarizimit.

Dortmundi do të jetë stacioni i katërt i Schulz në Bundesligë, pas eksperiencave me skuadrën e qytetit të lindjes, Hertha Berlin (2010-2015), Borussia Mönchengladbach (2015-2017) dhe Hoffenheim. Ai ka luajtur në total 122 takime në Bundesligë që nga debutimi i tij profesional me Herthan në gusht 2010, duke regjistruar katër gola e 14 asistime dhe konsiderohet gjerësisht si një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në elitën e futbollit gjerman.

“Nico Schulz është një mbrojtës i cili ka bërë një hap të rëndësishëm cilësor si lojtar në vitet e fundit,” – tha drejtori sportiv i Dortmundit, Michael Zorc. – “Ne duhet të përfitojmë nga cilësitë e tij fizike dhe dinamizmi në fushën e blertë. Është një lojtar me shpirt luftarak dhe më uri për të lënë gjurmë.”