Dorëzohet kallëzim penal kundër Pranvera Zejnullahu-Racit, drejtoreshës së re të SHSKUK-së

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kishte hapur konkurs më 27 maj të këtij viti për Infermierë të Përgjithshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

SHSKUK kishte hapur 30 pozita për Infermierë të Përgjithshëm, 15 pozita me Bachelor dhe 15 pozita Infermierë të Përgjithshëm me shkollë të mesme. Por, ky konkurs ishte anuluar pjesërisht më 8 shtator 2022, shkruan Demokracia.com.

Me vendimin për anulimin e konkursit nuk ishin pajtuar kandidatët që kishin qenë më të suksesshëm në konkurs.

Përmes avokatit të tyre Florim Shefqeti, ata kishin ngritur kallëzim penal ndaj U.D. Drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci, Nazmi Kolgeci, Kryetar i Komisionit për Ankesa, Lumnie Statofci, anëtare e Komisionit për Ankesa dhe Suzana Bunjaku, po ashtu, anëtare e Komisionit për Ankesa.

Demokracia.com ka arritur të sigurojë Kallëzimin Penal që është bërë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Avokati Florim Shefqeti ka treguar në detaje se kandidatët që i përfaqëson u janë nënshtruar të gjitha procedurave të konkursit.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura znj. Pranvera Zejnullahu-Raci, UD. Drejtoreshë e Përgjithshme në SHSKUK, pasi që SHSKUK kishte shpallur konkursin publik me numër të protokollit 3816 datë 27.05.2022 për Infermier të Përgjithshëm…, në të cilin të dëmtuarit e cekur më lartë, i ishin nënshtruar më tërësi procedurës së aplikimit e testimit me shkrim, intervistimit me gojë dhe pasi që ishte bërë shpallja e kundërligjshme ka bërë nxerrjen e Vendimit për anulimin e konkursit nr. 5654 datë 10.08.2022”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com

Demokracia.com ka tentuar të marrë një qëndrim nga UD Drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Pranvera Zejnullahu-Raci, në lidhje me kallëzimin penal të bërë kundër saj, por e njëjta nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.