Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur i habitur që asnjë nga zyrtarët qeveritarë nuk ishte i pranishëm në ceremoninë solemne të dorëzim-pranimit të detyrës së kreut të Gjykatës Kushtetuese.
“Urime znj. Caka-Nimani për përfundimin e mandatit të saj dhe z. Rexhepi për zgjedhjen e tij si kryetar i ardhshëm i Gjykatës Kushtetuese. Jam dakord me Aivo: Roli i Gjykatës Kushtetuese në mbështetjen e sundimi të ligjit dhe demokracisë është i domosdoshëm. E habitshme që asnjë qeveritar i lartë nuk mori pjesë në seancën solemne të djeshme për të vlerësuar punën e Gjykatës”, shkroi ai në platformën “X”.
Ndryshe, Nexhmi Rexhepi është zgjedhur kryetar i ri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në seancën administrative të mbajtur më 10 dhjetor.
Mandati i tij do të nisë më 31 dhjetor 2024, pasi që kryetares aktuale Gresa Caka-Nimani i përfundon mandati nëntëvjeçar.
Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Ajo siguron funksionalitetin e institucioneve të vendit në pajtim me Kushtetutën dhe garanton mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive individuale të garantuara me Kushtetutë.







