PS

Dorëheqja e Xhafajt, fitore politike e PD apo shantazh i pastër?!

Për PD largimi i Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm është fitore politike e opozitës. Kështu u shpreh deputetja e PD, Dhurata Çupi e ftuar në studion e lajmeve të Ora News me gazetaren Beti Njuma.

Por e tillë nuk është për analistin dhe drejtuesin e emisionit “360 gradë”, Artur Zheji, i cili thotë se largimi i Xhafajt ishte shantazh si pasojë e konflikteve brenda PS.

Dhurata Çupi: Patjetër që është shumë e vonuar. Ajo që shqiptarët perceptojnë sot është një fitore politike e opozitës, por shumë e vonuar.

Artur Zheji: Unë mendoj që nuk ishte një dorëheqje, ishte një shantazh. Nuk është meritë e opozitës, por është meritë e konflikteve të brendshme brena PS. Unë mendoj që është vënë një mekanizëm shumë i fortë në lojë, sepse kjo vërteton edhe njëherë atë që Fatmir Xhafaj ka patur një mbështetje ndërkombëtare të fortë qoftë nga SHBA, qoftë nga Brukseli dhe ka vepruar pavarësisht problemeve familjare, çështja e vëllait. Por unë nuk gjykoj këtë pjesë, unë gjykoj pjesën e punës që ai ka bërë si ministër. Pjesa e punës që ai ka bërë si ministër është një punë reparatore. Pra nëse Shqipëria ishte e përfolur në hartën e vendeve kanabiste më të fuqishme të Evropës, zoti Xhafaj e përktheu atë në një përmbajte. Nuk po them se është një betejë e fitur, por është një betejë e luftuar dhe mbi të gjitha kam përshtypjen se shkarkimi i Xhafajt erdhi nga dy operacione: Nga heroina e Hasit dhe nga zbulimi i përgjimeve të kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Dhurata Çupi: Largimi i ministrit të Brendshëm sot është i detyruar, nuk është as dorëheqje, as largim ishte i detyruar të largohej për shkak të presionit të opozitës. Unë vazhdoj ta them se është fitore politike e opozitës.

Qeveria ka rënë

Beti Njuma: Cila do të jetë e ardhmja e qeverisë Rama?

Dhurata Çupi: Qeveria Rama nuk ka më asnjë legjitimitet të qëndrojë as 48 orë.

Artur Zheji: Unë mbështes përfundimin që ka zonja Çupi përsa i përket legjitimitetit të qeverisë. Unë mendoj se ajo ka rënë, madje ka rënë disa herë brenda një viti. Ka rënë në moral, por strukturalisht mbetet dhe këtu kam një vërejtje për rolin e opozitës. Kur hapet një e çarë në murin e kështjellës, duhet të suleni ta zgjeroni dhe të merrni atë që quhet kulla kryesore, por jo t’i jepni kohë kundërshtarit.

Figura e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm

Dhurata Çupi: Ka qenë një këshilltar që nuk ka qenë produktiv. Këshilltar i kryeministrit për rendin dhe rendi ka qenë në ditët më të këqija. Kaq mund të them për momentin. Ndoshta kryeministri nuk e ka pyetur dhe fare dhe e ka dërguar si kukull dhe kërkon të komandojë përsëri ministrin e Brendshëm.

Artur Zheji: Unë mendoj se Rama ka një debolesë me Sandër Lleshin që në 2012, që është një debolesë kur ai e donte kandidat për president dhe ja kërkoi në tavolinë Berishës si garantist. Berisha bëri një nga lojërat me spektakolare në atë periudhë, vuri disa kandidatë, i dha edhe LSI mundësi për kandidat dhe në fund bëri President atë që deshi vetë, që ishte Bujar Nishani. Njihet një background konfliktual shumë i fortë midis Bujar Nishanit dhe Sandër Lleshit. Sandër Lleshi madje ka përdorur terma shumë fyes ndaj Nishanit dhe konsiderohet si një nga njerëzit që ka një background anti PD. Tani do shohim politikanin Lleshi, jo më gjeneralin. Politikani Lleshi është një politikan që ka një background “hasmërie” ndaj PD. Do ketë një qasje radikale ndaj PD.

Dhurata Çupi: Unë shpresoj që ministria e Brendshme të vijë në ullitë e një ministrie me integritet, gjë që emërimi i një këshilltari të kryeministrit nuk jep shpresë. Sigurisht që nuk vjen nga radhët e brendshme të PS, por është një person politike.