Donika Gërvalla nis hakmarrjen ndaj Sindikatës së Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, po e pastron terrenin për diplomatët e rinj

Donika Gërvalla-Schwarz po e përgatit terrenin për sistemimin e njerëzve të saj në misione diplomatike dhe pozita të tjera në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Por, për ta bërë këtë, asaj po i duhet të eliminojë njerëz nga pozitat që i ushtrojnë me vite të tëra.

Kështu, Gërvalla-Schwarz dhe zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm në MPJD, siç ka mësuar Demokracia.com, kanë transferuar zyrtaren Afërdita Krasniqi-Mustafa nga pozita zyrtare e lartë e personelit pranë Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në pozitën zyrtare e lartë për legalizim dhe certifikim.

Transferimi i saj është bërë në ditën që MPJD ka shpallur konkurs për 32 pozita në misionin diplomatik.

Demokracia.com ka mësuar se Krasniqi-Mustafa është transferuar nga pozita që e ka ushtruar për 14 vjet vetëm pak minuta pas shpalljes së këtij konkursi.

Transferimi i saj po konsiderohet edhe si hakmarrje, meqë Krasniqi-Mustafa është edhe sekretare e Sindikatës të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, sindikatë kjo shumë e zëshme ndaj parregullsive në MPJD.

Zyrtarja Krasniqi-Mustafa, siç ka mësuar Demokracia.com, madje as që ishte paralajmëruar për transferimin e saj.

Për transferimin e saj ka reaguar edhe Sindikata e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm.

Sindikata vlerëson se transferimi i zyrtares Krasniqi-Mustafa është hakmarrjeje dhe e ka quajtur transfer tendencioz.

“Menaxhmenti në vazhdimësi është duke u hakmarrë ndaj kryesisë dhe anëtarëve të sindikatës, duke përdorur mënyra të ndryshme vetëm për të ndëshkuar kryesinë e sindikatës dhe të vazhdojë me kalkulimet me një grup të ish Ministrisë së Diasporës, të cilët ishin sistemuar pa u bërë rregullorja e brendshme për sistematizimin e vendeve të punës, si z. Vigan Berisha nga ish stafi i Diasporës ishte sistemuar me një vendim pa bazë ligjore nga ish-sekretarja Ariana Zherka. Pas këtij sistemimi kanë vazhduar sistemimet edhe për z. Behar Isma nga pozita Udhëheqës i Divizionit në pozitën Drejtor i Akademisë Diplomatike, si dhe z. Hamdi Bërbatovci auditor në ish diasporën, i cili e ka filluar auditimin në Njësinë e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore ende pa u bërë sistemimi, përveç që bëhet shkelje e auditimit ende pa i parapri baza ligjore është edhe konflikt interesi, pasi znj. Dardana Çitaku, zyrtare e lartë e personelit është bashkëshortja e z.Bërbatovcit”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate. /Demokracia.com/