Donika Gërvalla në gjumë, Vuçiq pretendon se i ka në sirtar “shtatë çnjohje të pavarësisë së Kosovës”

Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje që nga 1 shkurti i vitit 2021.

Njohja e fundit, Kosovës i erdhi nga Izraeli si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit.

Në mandatin e Albin Kurtit, Kosova nuk ka arritur asnjë njohje, shkruan Demokracia.com.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, prej ardhjes në krye të diplomacisë kosovare nuk e ka shënuar asnjë sukses.

Madje, ajo në vazhdimësi po kritikohet dhe akuzohet se po e shkatërron diplomacinë e vendit.

Përderisa institucionet e Kosovës nuk kanë bërë ndonjë hap për të fituar ndonjë njohje të re, Serbia nuk po lë gur pa lëvizur për të penguar njohjet e reja, por edhe të punojë me vende të tjera për ta tërhequr njohjen e Kosovës.

Sot presidenti serb Aleksandër Vuçiq, në një konferencë për media ka pretenduar se i ka në fiok “shtatë çnjohje të pavarësisë së Kosovës”, shkruan Danas.

Ai ka thënë se janë një numër i vendeve që kanë deklaruar se tashmë janë të gatshme për ta tërhequr njohjen për Kosovën dhe numri i tyre, sipas Vuçiq, ka shkuar nga katër në shtatë.

“Ato dokumente janë në fiokun tim, askund tjetër. Ato janë shtatë. Do t’i zbulojmë kur të është e nevojshme. Është punë e vështirë dhe luftë e vështirë”, ka thënë presidenti i Serbisë.

Ndryshe, sipas marrëveshjes së Uashingtonit, për një vit Kosova e kishte të ndaluar të aplikonte për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Ky moratorium njëvjeçar bëri që edhe Serbia ta ndërpriste fushatën kundër njohjeve të shtetit të Kosovës. Por, mortatoriumi tashmë ka skaduar më 4 shtator 2021.

Kosova, në pesë vjetët e fundit ka pranuar katër njohje ndërkombëtare.

E shpallur e pavarur 14 vjet më parë, Kosova është njohur nga 117 shtete në total.

Gati gjysma prej tyre e kanë njohur në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten dhe as Bosnje e Hercegovina.

Nga vendet e Bashkimit Evropian, Kosova nuk e ka njohjen e Greqisë, Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros.

Kjo edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”./ Demokracia.com/