Nezir Kraki aderoi para disa ditës në “Guxo” dhe do të jetë kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai ka qenë i ftuar në “Pressing”, ku ka pasur debat me analistët, sidomos me gazetarin Ilir Mirena.

E Krakit në mbrojtje i erdhi shefja e tij në parti, Donika Gërvalla, ministre e Jashtme e Kosovës dhe Diasporës, e cila ka reaguar përmes një postimi në Facebook në lidhje me diskutimet në “Pressing”.

Ajo sulmoi analistët, madje duke e përfshirë aty edhe autorin e emisionit “Pressing”, Leonard Kerquki.

Por, kryediplomatja ka shprehur edhe ofendim ndaj gazetarit Ilir Mirena, duke e cilësuar si “më mjerani”.

“I mençur, i ditur, i kulturuar, me njohuri kaq të gjithanshme. Prof. Nezir Kraki përballë pesë “analistëve”, thjesht i jashtëzakonshëm.  Argumentet e mençura përballë sulmeve, gënjeshtrave, gjithmonë fitojnë. Prandaj zhurma dhe injoranca përballë një profili të tillë thjesht nuk kalon. P.s. Më duhet të pranoj që Ilir Mirena sonte po duket më mjerani prej tyre, por nuk jam e vetmja që nuk po befasohem”, ka shkruar Gërvalla.

Statusi i saj u lexue live në “Pressing” dhe shkaktoi të qeshura në studio.

“Qyre me çka merret ministrja e Jashtme”, komentoi këtë Blerim Latifi. /Gazeta Express