Don Xhoni takohet me Ramiz Lladrovcin, i thotë se do ta bëjë krenar Drenasin

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim vëllezërit Leonard dhe Xhonatan Isufi i njohur si Don Xhoni, reperi më i ri që ka thyer rekord gjatë kohës së pandemisë.

Kryetari Lladrovci ka përgëzuar Leonardin dhe Don Xhonin për të arriturat e tyre dhe u ka uruar suksese në punën që bëjnë.

Leonard Isufi, ka treguar se për më shumë se 10 vite është pjesë e lojës virtuale online soccer manager, e njohur ndërkombëtarisht si loja më e popullarizuar e futbollit.

Ai ka thënë se pas shumë iniciativave nga e gjithë shoqëria e tij nga Kosova, janë bashkuar me një qëllim të vetëm, për pranimin e Kosovës dhe Super Ligës në lojën virtuale online soccer manager.

“Kemi punuar shumë me shoqëri që të jemi si shtet të pranuar në këtë lojë virtuale, falënderoj të gjithë grupin që janë pjesë e Crew, grupit më të fortë në botë. Qëllimi dhe dëshira jonë është realizuar dhe ndihemi shumë krenar që në fund kemi mundësinë të luajmë me kombëtaren tonë dhe me ekipin e vendit tonë e posaçërisht të vendit tim, Feronikelin”, ka thënë Leonardi.

Ndërsa, Don Xhoni, ka falënderuar kryetarin Lladrovci për pritjen dhe ka shtuar se çdo hap i karrierës së tij, nuk do të harroj vendin e lindjes, Drenasin dhe do të mundohet që ta bëjë krenare vendlindjen dhe shtetin.