Gazmend Muhaxheri, përfaqësues i LDK-së në Rubikon të KTV-së tha se qeveria Mustafa u rrëzua përmes pazareve politike meqë kryeministri Isa Mustafa nuk ishte i përshtatshëm për të udhëhequr dialogun me Serbinë. Rrjedhimisht, sipas tij, meqë kryeministri Haradinaj nuk pranoj të shkoj në Bruksel për të udhëhequr këtë proces.

“Duhesh me pranu që e ki rrëzuar qeverinë me pazar politik”, tha ai.

“Nuk kanë mujtë me rrëzu dy-tre deputetë qeverinë. E kanë kundërshtu sepse në LDK ka ekzistuar mundësia që të votojnë kundër për dallim nga ju. Problemi është te partneri i koalicionit”, ka thënë Muhaxheri.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, i tha se qeveria në krye me Mustafën u vetërrëzua dhe nuk e tradhtoi partneri i koalicionit.

“Komplotin nuk e sjellëm ne por e gjetëm mes juve, pra deputetët tuaj nuk e votuan atë. Me thënë që u rrëzu qeveria Mustafa, jo por u vetërrëzu qeveria Mustafa sepse në atë kohë ne kërkonim nga LDK që të procedojmë me demarkacionin sepse na mbeti një gurë në qafë dhe nuk mund të ecnim përpara”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa, Avni Arifi, udhëheqës i dialogut teknik për bisedimet me Serbinë, i përmendi Muhaxherit nënshkrimin e marrëveshjes së Asociacionit, e që sipas tij ishte marrëveshja më e dëmshme për vendin që nga autonomia.

“Dokumenti që e ka nënshkruar Mustafa, dokumenti i Asociacionit është dokumenti më i rëndë për Kosovën që nga autonomia”, ka thënë Arifi.