DOKUMENTI top-sekret i Serbisë për sulmet e NATO-s: Në ditën e katërt raportohet rrëzimi i një avioni të padukshëm

Gjatë bombardimit të Serbisë, avionët e NATO-s kishin realizuar mijëra fluturime, duke sulmuar depot dhe fabrikat e armëve të Serbisë në Beograd, Nish, Novi Sad, Prishtinë dhe shumë caqe tjera të rëndësishme.

Demokracia.com ka siguruar ekskluzivisht raportin top-sekret të Ministrisë serbe/jugosllave të Mbrojtjes të asaj kohe, ku në detaje janë paraqitur sulmet e NATO-s në Serbi, Mal të Zi dhe në Kosovë për 78 ditë radhazi, të cilat do të publikohen çdo 24 orë.

Në këtë raport përmendët numri i bombardimeve brenda një dite, numri i projektilëve, vendet, pasojat në njerëz, dëmet në infrastrukturën ushtarake dhe civile, shkatërrimet e pajisjeve ushtarake, etj.

Demokracia.com sot publikon detajet e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe të datave 27 dhe 28 mars të vitit 1999.

Në raportin e përditshëm të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë (ish RFJ-së) për sulmin e forcave të NATO-s, respektivisht sulmeve ajrore, ndaj caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe, dita e katërt nis me sulmin në Beograd.

Në orën 16 e 50 të 27 marsit të vitit 1999 aeroplanët e NATO-s godasin në Beograd, në objektin ushtarak të Kijevo-Knezhevac. Në këtë sulm vritet një ushtar dhe dy të tjerë plagosën.

Në 20 e 5 minuta goditet fabrika e avionëve ‘Utva’ në Pançevë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Gjysmë ore më pas një bombë shpërthen në Stara Pazova, në autostradën numër 106, dy kilometra afër Starih Banovacit. Në këtë sulm goditët një korsi e autostradës dhe krijohet një krater i thellë 50 centimetra në të cilin bie një veturë civile, derisa vozitësi merr lëndime të rënda.

Në orën 21:00 në Rumë, afër fshatit Buçevci, serbët raportojnë për rrëzimin e një avioni të NATO-s, F-117, i njohur si ‘Skifteri i zi’ (avion i pakapshëm nga radarët) me shifër AF82806. Piloti arrin të katapultoi, derisa gjenden pjesë të avionit.

Në Shabac në orën 21 e 15 raportohet për shkatërrimin e dy raketave kryqëzore, por nuk jepen detaje tjera.

Në orën 23 e 10 goditet Posta e Prishtinës. ‘Projektili ka fluturuar mbi ndërtesën e PT Prishtinës dhe më pas e ka goditur objektin në qytet’, thuhet në raport.

Në orën 01:05 sulmohet qendra 13 Maji në Beograd – objekti ushtarak në Batajnicë, duke shkaktuar dëme materiale.

Sulmi i radhës ka për cak sulmin ndaj radarit lëvizës të ushtrisë serbe në Novi Sad. Sulmi ndodh në orën 01:43 dhe aty vriten dy ushtarë serbë, kurse katër të tjerë plagosën rëndë. /Demokracia.com/