(The Guardian) – Kur Srebrenica ra në duart e forcave serbe 25 vjet më parë, qeveria në Bosnjë nuk po mund ta merrte veten teksa përballej me vrasjet në masë, që po ndodhnin në këtë enklavë të vogël. Prandaj, zyrtarët boshnjakë mbetën të shtangur kur reagim i menjëhershëm i Washingtonit ishte përpjekja për detyrimin e tyre të bëjnë kompromise – përfshirë pranimin e ndarjes së shtetit të tyre mbi linja etnike.

Hapja e dokumenteve nga kjo periudhë dhe intervistat me disa nga protagonistët tregojnë për vendosmërinë e Bill Clintonit dhe ekipit të tij për Politikë të Jashtme që të gjejnë zgjidhje me çdo kusht për këtë konflikt, para se të fillonte fushata presidenciale në SHBA, më 1996, edhe nëse një gjë e tillë nënkuptonte të shpërblyerit e udhëheqësve serbë në Bosnjë, për politikat e tyre të spastrimit etnik, shkruan “The Guardian”.

Në biseda telefonike me udhëheqësit tjerë, në kohën e masakrës në Srebrenicë dhe vrasjeve gjithandej Bosnjës, Clinton vazhdimisht e kishte shprehur dëshpërimin me Ushtrinë e Bosnjës, sepse kishte dështuar ta mbrojë Srebrenicën. Dhe në të njëjtën javë kur ra Srebrenica, këshilltari për siguri kombëtare i Clintonit, Anthony Lake i përpiloi pjesët e fundit të “strategjisë dalëse”, për të nxjerrë SHBA-në nga katastrofa në Bosnjë.

Kjo strategji, përpilimi i të cilës nisi nga ekipi i Lakeit disa javë para gjenocidit në Srebrenicë, ishte arritja e një marrëveshjeje paqësore, e bazuar në ndarje të territorit. Në rast dështimi, plani ishte që të tërhiqen forcat paqeruajtëse të Unproforit, të hiqet embargoja e armëve ndaj Bosnjës, dhe t’i jepet Federatës Myslimane-Kroate një përkrahje fillestare me sulme ajrore, deri sa ishte mjaft e fuqishme për t’i sulmuar vetë serbët.

Por çmimi i kësaj përkrahjeje nga SHBA-ja ishte i lartë. Boshnjakët duhej të jepnin edhe më shumë, përfshirë edhe integritetin territorial për të cilin kishin luftuar.

Federata do të duhej të pranonte më pak se gjysmën e shtetit, dhe SHBA do të “shtynte boshnjakët që t’u lejojnë serbëve referendum për ndarje pas 2-3 viteve”.

Kjo nuk u duk e mirë për udhëheqësit e Bosnjës, e posaçërisht kur presidenti i atëhershëm Alija Izetbegoviq u gjet nën presionin amerikan qe të pajtohet me referendum, edhe teksa përmasat e krimit në Srebrenicë nisën që të bëhen të ditura.

Menjëherë pas rënies së Srebrenicës, presidenti i atëhershëm i Francës, Jacques Chirac, u përpoq t’i bashkojë udhëheqësit perëndimorë që të përkrahin rimarrjen e Srebrenicës me forcë, duke e krahasuar situatën me luftën kundër nazistëve.

”Franca është e gatshme t’i dërgojë të gjitha forcat për të rregulluar situatën në Srebrenicë, ose nuk bëjmë asgjë. Por nëse nuk bëjmë asgjë, atëherë do të jemi në të njëjtën situatë si më 1939, dhe Franca do të tërhiqet”, i kishte thënë presidenti francez Clintonit më 13 korrik.

Sidoqoftë, Clinton ishte ankuar për Ushtrinë e Bosnjës, duke thënë se kishte ikur, në vend se të luftonte kundra serbëve.

“Në Srebrenicë kanë qenë rreth 3.000 ushtarë boshnjakë… por ata ikën pa luftë”, kishte thënë Clinton. “Do të flas më këshilltarët e mi ushtarakë, por janë skeptikë për të dërguar forca ajrore, posaçërisht nëse boshnjakët nuk duan të luftojnë. Nuk mund të mbrojmë vlera demokratike në abstrakt”, kishte thënë ai.

Në fund, SHBA dhe aleatët e saj u pajtuan për të mbrojtur enklavën e fundit boshnjakë në Gorazhde, duke kërcënuar me sulm të madh ajror, nëse ky vend do të sulmohej. Një ofensivë kroate kundër serbëve perëndim të Bosnjës, në gusht të vitit 1995 e rishkroi hartën dhe i detyroi serbët qe të ulen në tryezën e negociatave pa premtim të një referendumi.

Lufta mori fund, një arritje e Clintonit në Politikën e Jashtme. Sidoqoftë hapja e dokumenteve të Clintonit tregon se sa afër ishte SHBA-ja për të hequr dorë nga Bosnja.