DOKUMENTE| Shpejtim Bulliqi ia dha 2 mijë euro shoferit të tij si ndihmë financiare nga buxheti i komunës

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ia ka ndarë shoferit të tij 2 mijë euro si ndihmë financiare.

Agron Fusha, me vendim është Zyrtar për Logjistikë – shofer i Kryetarit të Komunës së Podujevës, i emëruar nga vetë kryetari Shpejtim Bulliqi në këtë pozitë më 6 dhjetor 2021.

Demokracia.com e ka siguruar vendimin që Bulliqi e ka nënshkruar për dhënien e ndihmës financiare shoferit të tij, Agron Fusha, ku siç thuhet në këtë dokument zyrtar, 2 mijë euro i janë ndarë atij për shkak të gjendjes shëndetësore dhe pamundësisë për mbulimin e shpenzimeve mjekësore dhe trajtimit të mëtutjeshëm të tij.

Vendimi i kryetarit Shpejtim Bulliqi për dhënien e ndihmës financiare shoferit të tij

Po ashtu, Demokracia.com e ka siguruar edhe vendimin e kryetarit Shpejtim Bulliqi për emërimin e Agron Fushës si shofer të tij.

Mandati i Fushës, sipas vendimit të Bulliqit, është në kohëzgjatje të mandatit të kryetarit të komunës, përveç nëse me vendim të veçantë vendoset ndryshe.

Vendimi i emërimit të Agron Fushës si shofer i kryetarit Shpejtim Bulliqi

Demokracia.com e ka kontaktuar kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, që ta marrë një qëndrim nga ai lidhur me vendimin për ndarjen e ndihmës financiare për shoferin e tij, por ai nuk e ka hapur telefonin dhe nuk ka treguar interesim as të flasë, pasi që është njoftuar edhe përmes mesazhit telefonik lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, Bulliqi kishte premtuar shërbime shëndetësore 24 orëshe, shumë më cilësore, për të gjithë qytetarët e Podujevës.

Që nga marrja e mandatit në krye të komunës, Bulliqi kishte thënë se një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij është përmirësimi dhe avancimi i shërbimeve mjekësore për qytetarët e komunës së Podujevës, duke u zotuar se ata nuk do të kenë nevojë më të shkojnë nëpër klinika private dhe as në QKUK në Prishtinë për t’i marrë shumicën e shërbimeve shëndetësore.