Dokumente| Ky është vërtetimi i Sllovenisë për Martin Berishaj, Kosova e verifikoi shumë sipërfaqësisht

Skandali financiar i ambasadorit Martin Berishaj ka tronditur opinionin politik në disa shtete, por më së rëndi në Kosovë dhe Slloveni. Përkundër kësaj Berishaj po vazhdon të marrë përkrahje të plotë nga  akterët kryesorë të pushtetit në vendin tonë.

Berishaj tashmë është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale në Slloveni për skandalin financiar.

Berishaj, i cili para se ta merrte shtetësinë e Kosovës, i kishte marrë minimum edhe tri shtetësi të tjera, vazhdon të jetë shumë e çuditshme sesi po arrin t’i mbajë ato, pasi që shumica e shteteve evropiane e kanë të kufizuar shtetësinë e shumëfishtë vetëm në dy, por jo edhe Kosova.

Megjithatë, pak para se të bëhej kosovar dhe ambasador në Kroaci, Martin Berishaj i ishte nënshtruar një procesi të verifikimit sipërfaqësor në Slloveni e në Kosovë.

Demokracia.com kishte siguruar dhe publikuar vërtetimin e institucioneve të Sllovenisë, që ia kishin lëshuar Martin Berishajt për nevoja të përdorimit të tij jashtë vendit.

“Ministria e Drejtësisë e Republikës së Sllovenisë, në bazë të nenit 13 të Rregullores për evidenca penale, konfirmon se personi fizik Martin Berishaj, me vendbanim të përhershëm ose të përkohshëm D* c*, Lubjanë, nuk është dënuar me sanksion penal”, thuhet në vërtetimin që Berishajt ia kishin lëshuar institucionet sllovene.

Ky dokument, siç thuhet më tej, i ishte lëshuar kërkuesit për çështje jashtë vendit.

Po ashtu, Demokracia.com kishte publikuar edhe një dokument të institucioneve të Kosovës, ku konfirmohet se Martin Berishaj i ishte nënshtruar një procedure sipërfaqësore të verifikimit, më qëllim që ta merrte shtetësinë e Kosovës sa më shpejtë dhe të bëhej ambasador.

Në fund të muajit prill të vitit 2022, ambasadori Martin Berishaj ishte implikuar në një skandal rajonal, të cilin e kishte zbuluar mediumi slloven, Planet TV.

Sipas këtij mediumi, Golob e Berishaj ishte nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizues energjetik), të cilat i kishin shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi të Martin Berishajt.

Kompania MB Consulting supozohet se kishte marrë 600 mijë euro, të cilat ishin tërhequr vazhdimisht në para të gatshme nga vetë Martin Berishaj.