Kërkesat zyrtare

Dokumente: Këto janë kërkesat e Serbisë dhe Rusisë për mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ushtrinë e Kosovës

Mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas vendimit të Kuvendit për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, erdhi pas dy kërkesave të njëpasnjëshme të Serbisë dhe Rusisë, më 14 dhjetor 2018.

Ishte fillimisht ambasadori serb në OKB, Milan Milanović, i cili i kishte adresuar një kërkesë për mbledhje urgjente, Presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kacou Houadja Léon Adom.

Ambasadori serb në OKB kishte thënë se vendimi i institucioneve të përkohshme qeverisëse në Prishtinë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, e shkelë rezolutën 1244 të miratuar nga KS i OKB-së, transmeton Ballkani.info.

Po këtë ditë, më 14 dhjetor 2018, kur edhe u miratuan ligjet që transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri, edhe ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, i ishte drejtuar me një kërkesë të ngjashme Presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mbledhje urgjente.

Në kërkesën e tij, ambasadori rus në OKB kishte thënë se krijimi i “Ushtrisë së Kosovës” mund të ketë konsekuenca serioze jo vetëm për popullsinë serbe në Kosovë, por edhe për sigurinë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Në këtë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Në konsultimet e së premtes me dyer të mbyllura rreth mbajtjes së kësaj mbledhjeje urgjente, është raportuar për mospajtime ndërmjet ambasadorëve rus dhe serb në OKB, të cilin kishin kërkuar që kjo mbledhje të ishte e hapur për publikun, si dhe disa ambasadorëve të vendeve mike të Kosovës, të cilët kishin kërkuar që kjo mbledhje të jetë e mbyllur për publikun. /Ballkani.info/