DOKUMENT| Ujësjellësi “Prishtina” me “super meny”, shpenzon 30 mijë euro në ushqim e pije

Ujësjellësi “Prishtina” ka dhënë një tender në vlerë të 30 mijë eurove për ushqim dhe pije. Furnizimi me produkte i është besuar kompanisë “Shqiponja” nga Drenasi, që i merr çdo herë tenderët që kanë të bëjnë me shërbime të gastronomisë.

Edhe kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka vendosur që t’ju ofrojë ushqim dhe pije punëtorëve të vet me një meny të pasur, sikurse shumë institucione të tjera të Kosovës.

Tenderi për sigurimin e produkteve ushqimore dhe pijeve i ka kushtuar këtij institucioni afro 30 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Furnizimin me ushqim e pije do ta bëjë kompania “Shqiponja” nga Drenasi, që i merr çdo herë tenderët që kanë të bëjnë me shërbime të gastronomisë.

“Vlera e përgjithshme e kontratës 29 646,00. Shërbime të gastronomisë. Data e dhënies së kontratës 19.09.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 29.09.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 1 Emri zyrtar: SHQIPONJABFB SH.P.K”, thuhet në njoftim, përcjell Demokracia.com.

Në dosjen e tenderit është treguar se me 30 mijë euro do të blihen disa lloje të ndryshme të ushqimit, duke filluar nga supa e deri tek rizoto e file pule.

“Sallata – shope 200 gr.  Omlet me përshut. 300 gr. Omlet me djathë – 300 gr. Omlet – mikst 300 gr. Makarona ose shpageta boloneze – 300 gr (sos kërpudhash ose domatesh). Sandviç – toster – proshutë -150 gr. Hamburger 150 g. Sandviç – toster me djathë – 150 gr. sandviç – toster-tuna peshk. Sandviç – toster me suxhuk – 150 gr. Pizza – shtëpiake (te diametrit) – 24 cm, 250 gr. Pizza – margarita (te diametrit) – 24 cm, 250 gr. Risotto pule. Risotto viçi. Sallatë pule. File pule. Qofte zgare. Patate të skuqura. Sallat greke”, thuhet aty.

Në ketë meny nuk do të mungojnë as pijet, kafet dhe çaji.

“Kafe makiato e vogël. Kafe express. Kafe makiato e madhe. Kafe kapuçino. Kafe amerikane. Qumësht me çokollatë (bambi). Filtër – çaj.  Pije ne kanaçe (të gazuara) 330 ml (coca cola, fanta, sprite, biter limon, tonik, shfeps etj.) Pije në shishe plastike 500 ml. (pjeshke, mollë, portokall, dredhëz, dardhë, ananas, vishnje, etj). Lëngje frutash paketim qelqi 200 ml. (pjeshkë, mollë, portokall, dredhëz, dardhë, ananas , vishnje, etj). Çaj i ftohtë 0.5 litër”.

Kujtojmë se kompanisë ‘Shqiponja’, Kuvendi i Kosovës ia kishte ndërprerë kontratën shkaku i produkteve serbe që shërbente për deputetët në bufe

Në fundin e vitit të kaluar, përkatësisht në muajin nëntor, Kuvendi i Kosovës ia kishte ndërprerë kontratën ‘Shqiponjës’ për shërbime në bufenë e Parlamentit, nën arsyetimin se po shiste produkte të Serbisë.

Vendimi për ndërprerje të kontratës ishte nxjerrë pas paralajmërimit nga kabineti i kryeparlamentarit Glauk Konjufca për heqjen e produkteve të pretenduara serbe nga bufeja e Kuvendit.

Kompania “Shqiponja” Sh.P.K. është në bashkëpronësi të Beqir dhe Fatmir Nikës – bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve. Ata janë familjarë të Bedri Nikës, ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës./Demokracia.com/